Ministrja Nagavci po merr pjesë në takimin informal të ministrave përgjegjës për hulumtim që po mbahet në Lubjanë

19 Korrik 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është duke marrë pjesë në takimin informal të ministrave përgjegjës për hulumtim që është duke u mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë.

Ky takim dy ditor në të cilin po marrin pjesë ministra nga shtete të ndryshme evropiane përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të diskutojë gjendjen aktuale brenda forumit ERA për trancizion, ku aktualisht është duke u përgatitur Pakti për kërkim dhe inovacion për Evropën.

Në takim do të diskutohen edhe aspektet e ndryshme të qasjes globale për hulumtim dhe inovacion i cili prezanton një dimension të jashtëm të Hapësirës Evropiane për Hulumtim (ERA) e që është shumë e rëndësishme për të rritur bashkëpunimin në hulumtim dhe inovacion me partnerët kyç global.

Ministrja Nagavci ka theksuar se prioritetet kyçe të MASHTI janë finalizimi i procesit të anëtarësimit në Horizon Europe dhe finalizimi i strategjisë për specializimet e mençura. Për të mbështetur zhvillimin e strategjisë së lartpërmendur është zhvilluar platforma elektronike.

Sa i përket anëtarësimit në Horizon Europe, ministrja ka shtuar se shumë shpejt do të fillojmë për të punuar në programin e ri kërkimor i cili duhet të jetë në linjë me ambiciet tona për të themeluar bashkëpunim të qëndrueshëm me institucionet kërkimore nga shtetet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Sesioni i parë i këtij takimi do t’i kushtohet ERA-s, përkthimi i objektivave Evropiane për të vepruar në planet nacionale ndërkaq, sesioni i dytë ka të bëjë me qasjen e re globale në hulumtim dhe inovacion.