MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PO MERR PJESË NË KONFERENCËN “UDHËRRËFYESI I DIPLOMACISË PËRMES SHKENCËS PËR EVROPËN JUGLINDORE”

14 Shtator, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është duke marrë pjesë në konferencën “Udhërrëfyesi i diplomacisë përmes shkencës për Evropën Juglindore” që po mbahet në Bern të Zvicrës në të cilën po marrin pjesë ministra e përfaqësues nga dhjetë shtete.

Gjatë fjalimit të saj në këtë konferencë, ministrja Nagavci në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka shprehur mirënjohjen për Qeverinë  Zvicerane për mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar të Evropës Juglindore për Teknologjitë e Qëndrueshme (SEEIIST).

Ministrja tha se jemi krenarë që jemi pjesë e këtij projekti i cili nxit bashkëpunimin rajonal, duke krijuar mundësi në zgjerimin e aktiviteteve kërkimore ekzistuese.

Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim rajonal në fushën e kërkimit dhe inovacionit në kuadër të Agjendës së Ballkanit Perëndimor, duke u ofruar më shumë mundësi organizatave dhe studiuesve nga vendi për të marrë pjesë në projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Me këtë rast, Ministrja ka theksuar se Kosova me sukses ka përmbyllur negociatat me Komisionin Evropian për procesin e pranimit të suksesshëm në Horizon Europe dhe se marrëveshja zyrtare pritet të nënshkruhet në dy muajt e ardhshëm.

Gjithashtu njoftoi se Qeveria e Kosovës, është duke vazhduar në zhvillimin e Strategjisë së Specializimit të Zgjuar (S3).

Me mbështetjen teknike të Qeverisë së Austrisë, MASHTI vazhdon të punojë në zhvillimin e Sistemit aktual të informacionit kërkimor (CRIS) për Kosovën, në mënyrë që vazhdimisht të hartojë dhe regjistrojë burimet dhe daljet në fushën e hulumtimit dhe inovacionit (R&I).

Ministrja Nagavci tha se pret që SEEIIST të marrë mbështetje nga Komisioni Evropian dhe akterët tjerë përkatës për të përmbushur misionin e tij shoqëror për promovimin e vlerave shkencore në Evropën Juglindore.

Qëllimi i konferencës “Udhërrëfyesi i diplomacisë përmes shkencës për Evropën Juglindore” është tërheqja e mbështetjes nga ana e Evropës për pozicionimin e SEEIST në infrastrukturën kërkimore.

Kjo konferencë shfaq zhvillimin e SEEIIST deri më tani, me ndihmën e Komisionit Evropian dhe 18 qendrave për hulumtim në Evropë nga 14 shtete të Evropës.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.