Ministrja Nagavci mori pjesë në tryezën ku u diskutua për cilësinë në pranimin e studentëve në fakultetet e edukimit

27 Korrik 2021

Përgatitja e mësimdhënësve është interes kombëtar i Kosovës, prandaj bashkëpunimi i shumë akterëve në këtë drejtim është i domosdoshëm. Kështu është konstatuar në Tryezën e diskutimit me temë “Integriteti akademik dhe cilësia në pranimin e studentëve në fakultetet e edukimit, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Me këtë rast, Ministrja ka theksuar se Fakulteti i Edukimit ka rolin kyç në ngritjen e cilësisë në arsim përmes përgatitjes së duhur të mësimdhënësve. Ajo theksoi se synohet që të kemi një koncept të qartë për përmirësimin e performancës së mësimdhënësve, ndërsa tha se për këtë do të diskutohet bashkë me fakultetet e edukimit dhe drejtoritë komunale të arsimit.
 

Ministrja Nagavci tha se është shumë e rëndësishme që të sigurohemi se mësimdhënësit janë të përgatitur mirë për procesin e mësimdhënies në cilindo nga universitetet publike që kanë programe të kësaj fushe. Po ashtu, Ministrja falënderoi Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për këtë iniciativë, e po ashtu ADA-n që e ka përkrahur këtë projekt, por edhe shumë projekte të tjera në arsimin e lartë.

Ndërkaq, Sandra Horina, udhëheqëse e ADA-s në Kosovë, theksoi se kjo organizatë do të vazhdojë të mbështesë arsimin, ndërsa tha se janë institucionet e Kosovës ato që e dinë më së miri se cilat janë nevojat për ngritje të cilësisë.

Dekani i Fakultetit të Edukimit të UP-së, Blerim Saqipi, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit, pasi që tha se Kosova nuk ka nevojë për më shumë mësimdhënës, por ka nevojë për mësimdhënës të mirë. Pjesëmarrësit në këtë tryezë folën për problematikat dhe mënyrat se si mund të arrihet deri të pranimi i studentëve të rinj në fakultetet e edukimit, duke qenë se u tha që konkurrenca në këto fakultete vazhdon të jetë shumë e madhe dhe ekziston mundësia e zgjedhjes së më të mirëve.