MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË SHËNIMIN E DITËS SË TOKËS NË SHKOLLËN E GJELBËRT

22 Prill, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë sot në shënimin e Ditës së Tokës në Shkollën e Gjelbërt në Prishtinë, e cila në këtë ditë shënon po ashtu edhe Ditën e Shkollës.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka përgëzuar nxënësit për aktivitetet vetëdijesuese të organizuara, duke treguar kështu kujdesin për tokën, ndërsa tha se përpjekjet për ta ruajtur mjedisin duhet të jenë të përditshme.

Ministrja theksoi se angazhimi i Ministrisë së Arsimit për çështjet mjedisore nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë as në të ardhmen, kur dihet për rëndësinë e madhe që ka mjedisi për jetën e njeriut.

Duke folur për politikat, Ministrja Nagavci theksoi se Ministria e Arsimit përmes programeve të saj është e përkushtuar të zhvillojë politikat dhe të sigurojë bashkëpunim ndërministror në fushën e edukimit shëndetësor, duke promovuar ambient të shëndoshë shkollor ku nxënësit mund të përfitojnë njohuri të reja. 

Po ashtu, ajo tha se në vazhdimësi kemi shtuar përpjekjet për ta ruajtur mjedisin përmes  realizimit të  aktiviteteve që i kontribojnë mjedisit të shëndetshëm në shkolla, ndërsa theksoi se planet dhe programet mësimore në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar i kanë përfshirë temat që i kontribojnë kujdesit ndaj mjedisit dhe ruajtjes së tij.

Ministrja Nagavci, duke folur për rëndësinë që ka mjedisi në shëndetin e njeriut, tha se nëse njeriu është i shëndetshëm, atëherë do të ketë zhvillim ekonomik dhe social, pra edhe cilësi në arsim dhe cilësi të jetës në përgjithësi.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e Arsimit, Besiana Musmurati, drejtorë të shkollave, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.