MASHT

MINISTRJA NAGAVCI ËSHTË PRITUR NGA KRYETARI I REGGIO EMILIA TË ITALISË, LUCA VECCHI

12 Maj, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Itali, është pritur nga kryetari i Bashkisë së Reggio Emilia, Luca Vecchi dhe drejtorja për Arsim, Raffaella Curioni.

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e mirë që ka ndër vite Kosova me Italinë në fushën e arsimit dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkinë Reggio Emilia.

Ministrja Nagavci theksoi se Qeveria e Kosovës e ka vënë zhvillimin në fëmijërinë e hershme si një nga prioritetet kryesore të punës së saj dhe po punohet vazhdueshëm në avancimin e politikave dhe krijimin e mundësive për edukim cilësor të fëmijëve tanë.

Në këtë drejtim, ministrja Nagavci përmendi rëndësinë që ka projekti PEDAKOS, i cili po zbatohet në Kosovë në bashkëpunim me “Volontari nel Mondo”, i cili ndër të tjera ka vënë në dispozicion edhe qasjen Reggio Emilia për vendin tonë.  
Për të parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit, ministrja Nagavci e ftoi kryetarin Luca Vecchi për të vizituar Kosovën.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka vizituar edhe institucionet parashkollore komunale “Diana” dhe “Gianni Rodari”, ku zbatohet qasja Reggio Emilia, një qasje në arsim, e cila tashmë po e zbatohet disa vende të botës.

Po ashtu, Ministrja ka vizituar Qendrën Ndërkombëtare “Loris Malaguzzi”, si dhe Qendrën për Riciklim Kreativ të Materialeve, ndërsa ka zhvilluar një takim edhe me Laura Paternoster, përfaqësuese e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, e cila është financuese e projektit PEDAKOS.

Me këto aktivitete, ministrja Nagavci, e shoqëruar nga zv.ministrja Maloku Bërdyna e kanë përmbyllur vizitën zyrtare në Itali, ku kanë qëndruar me ftesë të organizatës “Volontari nel Mondo”.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.