Ministrja Bajrami mori pjesë në hapjen e trajnimit për programin “Horizon 2020”

05 Shkurt 2020

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me Komisonin Evropian, ka organizuar sot trajnimin për zyrtarët qeveritarë dhe Pikat Kombëtare të Kontaktit për programin kornizë të BE-së , “Horizon 2020”.

Në hapje të këtij trajnimi ka marrë pjesë edhe ministrja e re Hykmete Bajrami, e cila shprehu kënaqësinë që institucionet e Republikës së Kosovës janë pjesë e programit kornizë “Horizon 2020”.
Ministrja Bajrami theksoi se është shumë me rëndësi që të jemi pjesë e këtyre programeve, ndërsa falënderoi përfaqësuesit e BE-së për organizimin e trajnimeve të tilla dhe për forcimin e kapaciteteve absorbuese të Pikave të Kontaktit në Kosovë.
“Tani janë rreth 19 projekte të financuara nga BE. Uroj që trajnime të tilla si ky, të japin fryte dhe ne të jemi në gjendje të absorbojmë edhe më shumë”, tha Ministrja, ndërsa theksoi se shkenctarëve dhe kontribuesve në arsim t’iu mundësohet vendi i merituar.
Ndërsa, Bernhard Fabianek nga Komisioni Evropian tha se, është shumë me rëndësi që Kosova është pjesë e “Horizon 2020”, ndërsa uroi që pjesëmarrësit në këtë trajnim të përfitojnë sa më shumë njohuri rreth këtij programi, në mënyrë që shkenca dhe inovacioni të zhvillohet në Kosovë.
Trajnimi i organizuar nga MASHT dhe KE ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në raport me programin, duke sjellë informacione mbi zhvillimet dhe praktikat më të mira evropiane, përfshirë praktikat rajonale.
Programi kornizë i BE-së “Horizon 2020”, është programi më i madh hulumtues në Evropë. Kosova merr pjesë në program me statusin e vendit të bashkëpunimit ndërkombëtar.