Ministrja Arbërie Nagavci priti grupin e fëmijëve “Respect Our Rights” (ROR)

29 Prill 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci, ka pritë sot grupin e fëmijëve “Respect Our Rights” (ROR), të cilët në mbështetje të OJQ-ve Save The Children dhe Syri i Vizionit kanë realizuar hulumtimin me temën “Si mësuam dhe sa mësuam”, i cili kishte për qëllim gjetjen e sfidave të nxënësve dhe prindërve, që ndërlidhen me rrethanat e krijuara nga situata e pandemisë Covid-19, gjatë periudhës së mësimit në distancë/virtual mars-qerdhor 2020.

Ata kërkuan nga Ministria e Arsimit që të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar të Republikës së Kosovës, të mësojnë përmes një platforme të vetme, në mënyrë që të ngritet cilësia e mësimit në distancë/virtual .

Ministrja Nagavci ka shprehur interesimin e saj për të përkrahur aktivitetet e fëmijëve të grupit ROR, të cilët janë monitorues të zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovës dhe ligjeve vendore që kanë për qëllim mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe i ka përgëzuar për punën, cilësinë, gjetjet e hulumtimit dhe kërkesat e tyre drejtuar Ministrisë.

Ministrja Nagavci tha se është duke u punuar në krijimin e një platforme unike, e cila do të mundësojë ofrimin e një mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.

Përfaqësuesit e grupit ROR, Drilon Shaqiri, prezantoi raportin e hulumtimit “Si mësuam dhe sa mësuam”, sipas të cilit janë nxjerr edhe rekomandimet si: orët mësimore në internet të bëhen më dinamike, interesante dhe interaktive;mësimdhënësit të përpilojnë dhe përcaktojnë programet dhe oraret dhe t’u përmbahen atyre me përpikëri etj.

Grupi ROR (Respect Our Right) është grupi i fëmijëve, i përbërë prej 24 fëmijëve nga komunat e ndryshme të Kosovës, të moshave 14-17 vjeç, nga të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta.