Ministri Likaj priti përfaqësuesit e studentëve me nevoja të veçanta

30 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka pritur drejtuesit e organizatës “Handicap Students of Kosova”, Leonor Berisha, drejtor ekzekutiv dhe Gentrit Zeqiri, koordinator.f

Në takim është diskutuar për problemet infrastrukturore me të cilat ballafaqohen studentët me nevoja të veçanta nëpër universitete, krijimin e mundësisë për kryerjen e praktikës nëpër institucione, punësimin dhe çështjen e bursave.

Ministri Ramë Likaj shprehu interesimin e tij për të ndihmuar këta studentë në realizimin e kërkesave të tyre, në mënyrë që çështjet infrastrukturore të mos ndikojnë në uljen e cilësisë dhe përgatitjen e tyre akademike.

Drejtuesit e kësaj organizate falënderuan ministrin Likaj për pritjen dhe përkrahjen e ofruar. Gjatë bashkëbisedimit u konstatua se duhet të bëhet më shumë për përshtatjen e infrastrukturës fizike dhe ligjore për studentët me nevoja të veçanta.