MASHT

MINISTRI LIKAJ PRITI NË TAKIM AMBASADORIN E AUSTRISË NË KOSOVË

20 Tetor, 2020

20 Tetor 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, i cili ka prezantuar udhëheqësen e re të Zyrës Koordinuese për Bashkepunim Zhvillimor të Austrisë në Prishtinë (ADA – Austrian Development Agency), Sandra Horina.

Ministri Likaj ka falënderuar shtetin austriak dhe ADA-n për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë arsimit në Kosovë, veçanërisht në arsimin e lartë dhe atë profesional, përmes projekteve të tyre, të cilat i kanë kontribuar fuqizimit të këtyre sektorëve.

Ministri Likaj theksoi se, mbështetja e Qeverisë austriake edhe në të ardhmen do të jetë një ndihmesë e madhe  për përmirësimin e cilësisë në arsim, ndërsa u shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për të kryer të gjitha obligimet, në mënyrë që projektet të realizohen sipas planifikimit dhe objektivave të parapara.

Në takim u bisedua për projektet të cilat janë duke u zbatuar në Kosovë, si dhe për projektet të cilat pritet që të fillojnë në të ardhmen dhe të cilat kanë për qëllim fuqizimin e arsimit të lartë dhe arsimit dhe aftësimit profesional.

Krahas ambasadorit Christoph Weidinger dhe udhëheqëses së ADA-s, Sandra Horina, në takim ishte prezente edhe Albulena Zaimi nga Zyra koordinuese e ADA-s, përgjegjëse për projektet në fushën e Arsimit.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.