MASHT

Ministri Hoxhaj: Kryeministri Erdogan është një hero i Kosovës moderne

4 Nëntor, 2010

Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, në ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës (UP), kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për kontributin e tij për çështjen e Kosovës.

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Cause” nga Universiteti i Prishtinës (UP), për kontributin e tij për çështjen e Kosovës.

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, Kryeministri Erdogan është shprehur i nderuar për çmimin që i është ndarë. “Jam shumë i emocionuar që nga universiteti më i rëndësishëm dhe më i vjetër në Kosovë nderohem dhe marr titullin ‘Doctor Honoris Causa’, dhe, këtë ndjenjë dua ta ndajë me juve”, është shprehur ai, ndërsa ka theksuar se këtë e kupton si një detyrë për të vazhduar mbështetjen për shtetin e Kosovës në të gjitha fushat..

Po ashtu, kryeministri turk është shprehur i nderuar dhe i lumtur edhe për faktin se është kryeministri i parë i shtetit turk që e viziton Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

“Kosova nuk është për ne kurrsesi një tokë e largët, një vend i largët. Kosova është fqinji ynë, Kosova është miku ynë, prap e them, Kosova është vëllai ynë. 
Kosova sa herë ka pasur dhimbje gjatë viteve të okupimit, të luftërave qindravjeçare, edhe Turqia ka ndjerë dhimbje. Kur Kosova ka qenë e pikëlluar, edhe ne kemi qenë të pikëlluar, kur Kosova ka pasur festa-dashuri, kemi pasur edhe ne. Prandaj, ditën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur dhe kanë shpallur pavarësinë e Kosovës, unë menjëherë e kam marrë telefonin dhe i kam uruar liderët e Kosovës dhe iu kam premtuar bashkëpunim dhe miqësi si dy shtete”, është shprehur ai.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës kryeministrit Erdogan në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të studentëve, profesorëve. “Kjo ditë është shumë e veçantë për universitetin tonë, nxënësit tanë, shkollën tonë, akademinë e shkencës dhe për çdo familje në Kosovë, sepse një mik i familjeve tona po e viziton Kosovën dhe universitetin tonë”.

Ministri Hoxhaj theksoi se titulli “Doctor Honoris Causa”, që iu dha kryeministrit Erdogan, duhet të kuptohet në tri rrafshe: “Së pari është një rishikim në të kaluarën. Turqia dhe Kosova kanë qenë çdo herë vende mike. Qytetarët tanë kanë qenë popuj miq dhe vendet tona kanë lidhje të fuqishme historike dhe kulturore. Një lidhje shumë e gjatë mes vendeve dhe popujve tanë. Por, ky rishikim në të kaluarën, është edhe një mbështetje e fuqishme për mbështetjen që Turqia ka dhënë për Kosovën gjatë shekullit 20, në vitet 90, gjatë luftës dhe pas luftës në zhvillimin e Kosovës”.

Së dyti, ministri Hoxhaj tha se ky çmim është një rishikim në të sotmen dhe e sotmja në Kosovë ka filluar me 17 shkurt 2008. “Pjesë e kësaj të sotmeje nga minutat e para, ka qenë vet kryeministri Erdogan dhe Qeveria e tij, meqë ka qenë ai personalisht që e ka njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në minutat e saj të parë”.

Ky çmim, tha ministri Hoxhaj, është edhe rishikim në të ardhmen. “Kryeministri Erdogan është një njeri që ka guxim mendor, lider që ka guxim moral dhe i cili ka krijuar një politikë të re në vendin e tij e përtej tij, ka reformuar dhe ka zhvilluar fuqi moderne dhe ka projektuar një politikë të jashtme shumë aktive. Ka forcuar fuqishëm ardhmërinë e vendit të tij dhe shumë popujve përreth. Është një lider i cili në sytë e qytetarëve e sheh vizionin e tyre dhe ka një vullnet të pathyeshëm për ta jetësuar ëndrrën e tyre”.

Ministri i Arsimit theksoi se ky çmim nuk është asgjë tjetër veç një nderim për punën e tij, vizionin dhe misonin e tij. “Ky çmim është obligim moral i yni për përkushtimin e tij ndaj neve dhe adhurimit tonë për të. Kryeministri Erdogan është një njeri që ka kaluar përmasat e njeriut, është një hero i Kosovës moderne”.

Ndërsa, rektori Mujë Rugova tha se Erdogan manifeston miqësinë, vendosmërinë, urtësinë dhe humanizmin. Ai tha se kjo mirënjohje i ndahet për gjithë çfarë bëri për çlirimin, pavarësinë dhe afirmimin e shtetit të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.