Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim përfaqësuesit e shkollës “Hamza Muça”, nga Shkallnuri i Durrësit dhe të shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, me të cilët bisedoi rreth projekteve dhe bashkëpunimit në mes të shkollave të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ministri Bytyqi e falënderoi drejtoreshën e shkollës “Hamza Muça”, Fatmire Mulliqi, për bashkëpunim me shkollat në Kosovë dhe theksoi se duhet të ndjekim këtë  rrugë të rëndësishme dhe të domosdoshme mes dy vendeve, që i ndihmon shkollat dhe në veçanti nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria.Ministri, po ashtu, shprehu keqardhje për tragjedinë që shkaktoi tërmeti në Durrës, sidomos për nxënësit, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi kombëtare. Ai theksoi se edhe në takimin që ka pasur këto ditë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini, ka marrë informacion se shumë nxënës janë detyruar që të lëvizin nga shkollat e Durrësit për shkak të dëmtimeve që kanë ndodhur në objekte.
 
								 
															