Ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë prezantuan Platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar

09 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, sot në ambientet e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë prezantuan Platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Likaj theksoi se, kjo Platformë për mësim në distancë është në vazhdën e një bashkëpunimi shumëvjeçarë dhe të shkëlqyeshëm, të cilin e kanë Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
Ministri Likaj bëri të ditur se, Ministria e Arsimit e Shqipërisë ia dhuron falas Ministrisë së Arsimit të Kosovës Platformën për mësimin në distancë, por njëkohësisht edhe MASh do të vë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë platformat e saj.
Me këtë rast, ministri Likaj ka ftuar prindërit dhe mësimdhënësit që t’i udhëzojnë fëmijët që të kujdesen për shëndetin e tyre, të mësuesve, familjarëve të tyre dhe për shëndetin e përgjithshëm.
Ndërsa, ministrja Besa Shahini shprehu besimin e saj se, pas përgatitjeve të cilat janë bërë dhe duke zbatuar në mënyrën më të mirë masat mbrojtëse, do të arrijmë të fillojmë një vit të mbarë shkollor.
Ministrja Shahini, po ashtu theksoi se, kthimi i nxënësve në bankat shkollore është me interes të lartë kombëtar.
Ndër të tjera, të dy ministrat biseduan edhe për konkretizimin e marrëveshjeve të tjera në të mirë të ngritjes së cilësisë së arsimit të dy vendeve, ndërkaq të gjithë nxënësve në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë iu uruan një vit të mbarë shkollor.