MAShTI lansoi dy doracakë të planprogramit për Mësimdhënien për Paqe dhe Ndërtim të Qëndrueshmërisë

12 Shkurt 2020

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka lansuar dy doracakë për Edukimin për Paqe dhe Resiliencë (për Arsimin e Mesëm të Ulët dhe për Arsimin e Mesëm të Lartë), të cilët janë hartuar duke u bazuar në kërkesat e Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar të Kosovës.

Këta doracakë do të jenë pjesë e Kurrikulës si çështje ndërkurrikulare, e që duhet të realizohen nga të gjitha fushat kurrikulare, përkatësisht të gjitha lëndët mësimore, por edhe si pjesë e veçantë e lëndëve të caktuara mësimore.

Ekrem Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i MAShTI-t,  ndër tjera tha se, qëllimi i këtyre doracakëve është për t`u ofruar mësimdhënësve përmbajtje për edukimin për paqe dhe qëndrueshmëri nga burime të ndryshme me qasje dhe metodologji të avansuar. Ndërsa, ai theksoi se ky material ndikon që mësimdhënësit të bëhen hulumtues të pavarur, të përdorin burime të ndryshme për të realizuar kurrikulën në funksion të kërkesave të saj.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe znj. Mari Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë, e cila foli për rëndësinë e edukimit për paqe dhe tha se këta doracakë do të jenë një material i dobishëm në dorën e mësimdhënesve.

Doracakët janë hartuar nga zyrtarët e Divizionit të Planprogrameve në bashkëpunim me znj. Emma Founds (eksperte e UNDP-së), mësimdhënës dhe drejtorë të 8 shkollave nga 4 komuna të Kosovës (Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Kaçaniku), si dhe  USAID, UNICEF, Forum ZFD, OXFAM, Play International, Save the Children dhe KEC.