MAShTI aderon në Memorandumin e partneritetit për bashkëpunim edukativ në kuadër të Strategjisë se Frankofonisë 2015-2022

16 Nentor 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është bërë pjesë e Memorandumit të partneritetit për bashkëpunim edukativ në kuadër të Strategjisë së Frankofonisë 2015-2022.

Kjo është konfirmuar nga Qendra Regjionale Frankofone për Evropën qendrore dhe lindore (CREFECO), ndërsa është mundësuar pas kërkesës së ministres Arbërie Nagavci.

Në letrën dërguar ministres Nagavci, Erik Poppe, Drejtor i Evropës Qendrore dhe Lindore të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ka theksuar se tashmë institucionet tona mund të jenë pjesë e bashkëpunimit regjional në fushën e ngritjes së kompetencave të mësimdhënësve në gjuhën frënge, duke kontribuar kështu në forcimin e frankofonisë në Evropën qendrore dhe lindore.

Po ashtu, drejtori Poppe, në emër të Sekretares së Përgjithshme, Louise Mushikiwabo, ka përshëndetur angazhimin e ministres Nagavci për të mbështetur mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës frënge në sistemin e arsimit në Kosovë, por edhe duke e forcuar statusin e saj në institucionet arsimore.