MASHT organizon raundin e dytë të provimit Matura Shtetërore 2010

26 Gusht 2010

Nesër e premte, 27 Gusht 2010 në 29 komuna te Republikës së Kosovës, do të organizohet provimi  "Matura Shtetërore 2010"  - afati Gushtit. Provimi fillon njëkohësisht në të gjitha qendrat në ora 10 00 deri në ora 13:00.

Nxënësit patjetër duhet të paraqiten në qendrat shkollore të caktuara për këtë qëllim ndërsa me vete duhet të kenë dokumentin identifikues.

Në këtë test do të sprovojnë edhe njëherë dijen e tyre, nxënësit që nuk ishin të suksesshëm në afatin e qershorit, ata që nuk patën sukses vitin e kaluar si dhe ata nxënës që për shkaqe të ndryshme nuk patën mundësi të jenë pjesëmarrës në testin e parë.

Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, ka deklaruar se tashmë çdo gjë është gati për organizimin e këtij testi të rëndësishëm për maturantët.

Provimi do të mbahet në 54 qendra shkollore ne tërë territorin e Republikës së Kosovë,ndërkaq janë caktuar administratorët dhe vëzhguesit (1600), si dhe 216 anëtarë komisioni dhe monitorues të testit.

Ndërkaq Mustafë Kadriu, udhëheqës Njësisë për Standarde dhe Vlerësim në MASHT tha se sipas të dhënave nga Drejtoritë Komunale të Arsimit për këtë test dije janë paraqitur 11530 nxënës ndërsa rezultatet pritet që të shpallen për një afat të shkurtër kohor.

Si gjithherë përpilimi dhe shpërndarja e pyetësorit është bërë dhe po bëhet në masa të rrepta të sigurisë për çka kujdeset Policia e Kosovës.

Nxënësit të cilët edhe kësaj radhe nuk do të kenë sukses duhet të presin qershorin e vitit të ardhshëm për ti krijuar vetes mundësinë e shkollimit të lartë.