MASHT

MASHT nis procesin e hartimit të Kurrikulumit

6 Tetor, 2010

Sot në Prishtinë, Ministri i Arsimit, Z. Enver Hoxhaj, e inauguroi fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme në arsimin e Kosovës: reformimin e Kurrikulumit të Kosovës – reformimin e asaj se çka, si dhe me çfarë mjetesh do të mësojnë fëmijët tanë në shkollat tona në të ardhmen. “Me Kurrikulumin e Ri synojmë që nxënësit tanë të jenë komunikues efikas, mendimtar kreativë, që te jenë reflektues të pjekur, qytetar të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha ta kenë një shpirt dinamik i cili e ndryshon dhe e modernizon Republikën e Kosovës”, tha në fjalën hyrëse Ministri Hoxhaj.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka organizuar punëtorinë fillestare me rreth 180 hartues të kurrikulumit lëndor, përfshirë msëimdhënës të shkollave të të gjitha niveleve dhe edukatorë e ekspertë nga Universiteti i Prishtinës e sektori joqeveritar. Këtu u dhanë sqarime se si do të punohet në të ardhmen në këtë proces të rëndësishëm dhe sfidues.

Janë zgjedhur koordinatorët dhe anëtarët e grupeve punuese të cilët do të mbështeten në këtë proces nga ekspert vendor dhe ndërkombëtarë të fushave të ndryshme arsimore.

Gjatë vitit 2009-2010, MASHT ka hartuar Kornizën e Kurrikulumit të Kosovës e cila do të jetë bazë për kurrikulumin bërthamë dhe për programet lëndore; faza e parë e këtij procesi do do të zgjas deri në qershor 2011.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, në fjalën hyrëse është shprehur se Qeveria e Kosovës e sheh arsimin si prioritet, por është fatbardhësi që ky njëherësh është edhe prioritet i partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Qëllimi ynë kryesor është ta kemi një shoqëri të dijes e cila do të krijojë shkathtësi konkurruese dhe që vendi ynë të jetë pjesë e integrimit, rrjedhës evropiane, ndërkaq e vetmja rrugë në këtë drejtim është rruga e dijes. 

Hap i parë në këtë drejtim padyshim është reforma e Kurrikulumit, e cila ehd efilloi me hartimin e Kornizës së Kurrikulumit për nivelin para fillor, fillor dhe të mesëm dhe e cila sistemin tonë arsimor e ndryshon në strukturë dhe përmbajtje duke u orientuar kah kompetencat, rezultatet mësimore dhe nga mësimi i integruar.

Kjo kornizë e kurrikulit parasheh që Kosova ta ketë një shkollë moderne, analitike cilësore të shekullit 21, dhe se fokusi kryesor do të jetë në disa përmbajtje kryesore mësimore.

Këto përmbajtje synojnë që jo vetëm të ndryshojë mësimdhënia me nxënësin në qendër por që nxënësit tanë të jenë komunikues efikas, mendimtar kreativ, që te jene reflektues të pjeku, që te jenë qytetar të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha ta kenë një shpirt dinamik i cili e ndryshon dhe e modernizon Republikën e Kosovës.

Në vazhdim, duke iu referuar kontekstit më të gjerë arsimor, ministri foli edhe për rolin dhe rëndësinë që në të ardhmen do të kenë komiteti i prindërve, këshilli qeverisës i shkollës, drejtori dhe këshilli i nxënësve. Ministri foli edhe për kalendarin shkollor i cili duhet të zgjatet si dhe për synimet e MASHT që mësimi të zhvillohet në vetëm një ndërrim. 

Ministri Hoxhaj, ka falënderuar projektin e Komisionit Evropian për Qasjen Tërësektoriale ne Arsim (SWAp), Bankën Botërore, USAID-in, Komisionin Evropian, GTZ-në e të tjerët që kanë mbështet MASHT-in në të gjitha proceset e reformave arsimore.

Ndërkaq, z. Mevlin Asin, nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë (ZNKE), mes tjerash tha se është më rëndësi që të krijohet një kurrikulum i qëndrueshëm në kohë dhe i zbatueshëm lehtë në praktikë.

Komisioni Evropian është i interesuar të që të ndihmojë Kosovën në vazhdimësi në ngritjen e cilësisë në arsim, duke filluar nga kurrikulumi i ri dhe që ky proces të vazhdojë me hartimin teksteve të reja shkollore dhe vlerësimet rigoroze të rezultateve mësimore, mekanizmat për monitorimin e cilësisë sipas standardeve dhe para së gjithash të krijohen kushtet për përfshirje sa më të gjerë në procesin mësimor të minoriteteve apo grupeve të ashtuquajtura të margjinalizuara.

Të pranishmit i përshëndeti edhe z. Eric Woods, i cili tha se projekti i QTS-së ka për qëllim pikërisht rritjen e cilësisë në arsim dhe që Kosova të jetë në hap me trendët bashkëkohore arsimore.

Agim Berdyna, drejtor i Departamentit për Zhvillim të Arsimit Parauniversitar foli për rëndësinë e përfshirjes së mësimdhënësve të zgjedhur në këtë proces, për sfidat me të cilat do të ballafaqohen gjatë këtij procesi dhe përparësitë e te përzgjedhurve për hartim të kurrikulumi në aspektin profesional si dhe për çështje tjera organizative.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.