MASh pranon 215 tabletë donacion nga OSBE-ja

19 Tetor 2020

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka pranuar sot 215 tabletë, donacion nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, me këtë rast, shprehu mirënjohjen e tij për këtë donacion të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe angazhimin e Ambasadorit Jan Braathu për bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis MASh dhe OSBE.

Ministri Likaj tha se, ky donacion do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të të mësuarit, qasjes dhe gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor, gjatë këtyre kohërave të vështira të pandemisë Covid-19.

Ministri Likaj theksoi se, MASh dhe partnerët e saj, GIZ, Bashkimi Evropian, Banka Botërore, UNICEF, OSBE dhe të tjerët, janë të përkushtuar në krijimin e kushteve më të mira të mundshme për nxënësit e Kosovës te të gjitha komuniteteve.

Po ashtu, ministri Likaj vlerësoi lart kontributin e ambasadorit Braathu për angazhimin e tij edhe si ish Ambasador i Norvegjisë në Kosovë dhe tani si Shef i Misionit të OSBE-së, në forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ambasadori i OSBE-së, Jan Braathutha se, e drejta për arsim dhe të drejtat e komuniteteve njihen në ligjet e Kosovës dhe në instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë. Ai u shpreh i lumtur, që OSBE-ja po i përgjigjet kërkesës së ministrit Likaj me këtë donacion, i cili do të ndihmojë që të gjithë nxënësit, në veçanti ata të komuniteteve, të kenë qasje në arsim përmes teknologjisë.

Ambasadori Braathu, po ashtu tha se, për ata që janë në pozitë më të pafavorshme dhe për gjithë shoqërinë, ne duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta për t’i përmirësuar qasjen dhe gjithëpërfshirjen sidomos në këtë kohë të pandemisë.