MASHT

MARRËVESHJE PARTNERITETI MES MASHTI DHE SAVE THE CHILDREN KOSOVA

4 Maj, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Save the Children Kosova nënshkruan sot Marrëveshje Partneriteti me qëllim që të përmirësohet qasja dhe cilësia në arsim për të gjithë fëmijët, duke promovuar qasje gjithëpërfshirëse, me fokus në fëmijët nga grupet më të cënuara.

Fushat programore përmes të cilave do të aplikohet zbatimi i kësaj Marrëveshje janë arsimi, mbrojtja e fëmijëve, të drejtat e fëmijëve, shëndeti dhe ushqyeshmëria.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar për avancimin e politikave që synojnë gjithëpërfshirje e cilësi, ku secili fëmijë në Kosovë të mund ta realizojë të drejtën themelore për t’u arsimuar, ndërsa shtoi se arsimi i hershëm është një prej objektivave madhore të Qeverisë.

Ministrja Nagavci po ashtu theksoi se MAShTI është në finalizim të një grupi punues gjithëpërfshirës me fokus preventivën e dhunës në shkolla.

Ndër të tjera, Nagavci rikujtoi se Komisioni për Grante ka miratuar buxhetin për vitin 2023 për punësimin edhe të 300 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa tha se po punohet me përkushtim që fëmijëve tanë t’iu ofrohet edukim dhe arsim cilësor, si dhe siguri në ambientet shkollore.

Prandaj, Ministrja falënderoi Save the Chlidren për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për arsimin në Kosovë dhe theksoi se aktivitetet e kësaj organizate janë në të njëjtën linjë me politikat e MAShTI.

Drejtori i Save the Children Kosova, Ahmet Kryeziu theksoi se, si organizatë për të drejtat e fëmijëve, kanë për detyrë të kujdesen për të gjithë fëmijët me të cilët organizata është në kontakt drejtpërdrejt ose përmes partneriteteve të saj, me theks të  veçantë kujdesin ndaj abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.

MAShTI dhe Save the Children Kosova si palë nënshkruese synojnë që përmes Marrëveshjes të përkrahin shkollat, mësimdhënësit dhe fëmijët që të kuptojnë më mirë procesin e identifikimit dhe parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve; të rrisin investimet në shërbime cilësore dhe të integruara të kujdesit, zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme; si dhe të fuqizojnë tutje qeveritë qëndrore dhe lokale në promovimin dhe përkrahjen e procesit të arsimit gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.