Instituti Albanologjik filloi aktivitetin shkencor “Java e Albanologjisë”

25 Tetor 2010

"Java e Albanologjisë", do të mbledhë gjatë këtyre ditëve rreth 100 albanologë, të cilët do t'i shpalosin studimet e tyre më të reja nga gjuhësia, letërsia, historia, folkloristika dhe etnologjia shqiptare. Ky aktivitet i financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, filloi sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë.Në këtë aktivitet shkencor do të marrin pjesë edhe albanologë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, në fjalën përshëndetëse, vlerësoi punën e punonjësve shkencorë të Institutit të Albanologjisë, të cilët kanë punuar me përkushtim. 
"Dua t'ju falënderoj që në studimet tuaja çdoherë keni pas një fokus i cili ka qenë pothuajse i natyrshëm dhe preciz. Studimi i tërësisë shqiptare në Ballkan dhe më gjerë mendoj se duhet të jetë në fokus edhe në të ardhmen.

Krahas studimit të botës shqiptare, vazhdimisht edhe identitetin e Kosovës e keni pas pjesë të hulumtimeve, gjurmimeve tuaja, identitet ky i cili ka qenë ideja më kohezive, më e fuqishme që realisht ne ta gëzojmë realitetin e ri". Nuk mendoj se ka institute në Ballkan që mund të krahasohet më vëllimin e punës që kanë bërë bashkëpunëtorët shkencorë të Institutit Albanologjik, por as me cilësinë, e cila padyshim ka pas fuqinë në kohën kur janë prodhuar këto vepra, por do ta kenë edhe në të ardhmen kur të lexohen nga të tjerët.

Kuptohet që kjo punë dhe kjo cilësi është përcjellë edhe me një qasje interdisciplinare në disa fusha të dijes, qoftë në filologji qoftë në etnografi, etnologji qoftë edhe në fushën e historisë dhe tërë kjo punë ka qenë një përkushtim rigoroz i studimit të të kaluarës dhe të tashmes,- ka thënë ministri Hoxhaj.

Ju keni qenë forca motorike, mendore dhe morale e Republikës së Kosovës dhe kjo forcë do të jetë edhe në të ardhmen fuqia më e madhe që ka shteti, vendi ynë.

Ne si Qeveri e Kosovës, do të bëjmë përpjekje maksimale që të ketë mbështetje edhe më të fuqishme financiare dhe mendojmë se trajtimi juaj patjetër duhet të jetë i barabartë me profesorët e universitetit, ndërsa autonomia e Institutit duhet të jetë edhe më e zgjeruar edhe më e fuqishme dhe misioni i tij duhet të jetë edhe i madh, meqë shteti ynë ka nevojë edhe më tutje për studime të mirëfillta, për identitetin e tij në tërësinë e botës shqiptare në Ballkan,- theksoi në fund ministri Arsimit Enver Hoxhaj. 

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi ndër tjera tha se "globalizimi si proces, kulturat kombëtare i vë para një sprove të vështirë të ekzistimit. Jo vetëm mërgata jonë kërcënohet nga proceset e akulturimit, nga to preket gjithnjë e më shumë edhe shoqëria shqiptare, madje edhe në hapësirat zyrtare të shqipes".

Më tej Matoshi tha se "Frika e ekspertëve për shuarjen e kulturave të caktuara, për tretjen e gjuhëve e të kombeve, sidomos të atyre që janë nën ndikimin e vazhdueshëm e agresiv të kulturave përreth, është shumë reale".

Sot filloi sesioni i folkloristikës, folklori krijimtaria gojore, ndërkaq ky aktivitet do të zgjasë deri më datën 29 tetor 2010.

Punonjës shkencorë të Institutit dhe albanologë të tjerë nga Shqipëria, Maqedonia, gjatë 5 ditëve të javës së Albanologjisë, në kuadër të pesë sesioneve, do të shpalosin rezultatet e punës së tyre shkencore.