Filloi punimet Seminari i XV-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë

01 Gusht 2019

Në organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, filloi punimet Seminari i XV-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë, i cili këtë vit po mbahet në Prizren.

Në këtë seminar tradicional po marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, mësimdhënës që jetojnë e veprojnë në diasporë, të angazhuar në procesin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Fjalën e hapjes e mbajti zëvëndësministri i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Heset Sahiti , i cili ndër tjera tha se ky seminar tradicional është në funksion të këmbimit të përvojave më të mira të mësimdhënies për fëmijët në diasporë, ruajtjes së gjuhës, traditës, e të kulturës sonë kombëtare.

Zëvendësministri Sahiti, po ashtu tha se, çdo ditë e më shumë po ndërmerren hapa konkret në jetësimin e marrëveshjes së përbashkët në mes dy qeverive Kosovë – Shqipëri në fushën e arsimit, duke filluar nga kurrikulat e përbashkëta,  tekstet shkollore për diasporën, programe e metodologji të reja të mësimdhënies moderne, për ta bërë sa më atraktiv të mësuarit e gjuhës shqipe.

Në vazhdim, zv/ministri Sahiti tha se mësimi i gjuhës shqipe nga të rinjtë tanë në mërgim është i rëndësisë së veçantë për të gjithë ne, sepse veç tjerash, mban lidhjet me vendlindjen dhe gjithë trevat shqiptare. “Është detyrë dhe përgjegjësi e dy qeverive tona që të mështesim këtë proces në vazhdimësi me të gjitha mundësitë që kemi”, theksoi ai.

Zv/ministri Sahiti, gjithashtu tha se MAShT e vlerëson punën dhe sakrificën e mësimdhënësve për angazhimin e palodhshëm në përmbushje të misionit prej mësimdhënësi kudo që jetojnë, për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Seminari do të vazhdojë punimet deri më 3 gusht.