Certifikohen 50 mësimdhënës për implementim të Pakos së Gjelbër

27 Tetor 2010

Me trajnimin e dytë të rreth 50 mësimdhënësve të Komunës së Prishtinës, përfundoi cikli i parë i trajnimit të mësuesve për përdorimin e Paketës së Gjelbër për Kosovën.

Projekti "Pakoja e Gjelbër" është implementuar nga Qendra Rajonale për Mjedis- Zyra në Kosovë (REC) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor(MMPH), ndërsa financiarisht është mbështetur nga Programi për Bashkëpunim dhe Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagxhillar dhe drejtori i REC-Zyrës në Kosovë prof. dr. Zeqir Veselaj, në Prishtinë u ndanë certifikata 50 mësuesve të trajnuar për implementim të "Pakos së Gjelbër".

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj shprehu interesin e MASHT për vazhdimin e mëtutjeshëm të trajnimeve në këtë fushë si pjesë e reformave të mëdha që po zhvillon MASHT në të gjitha nivelet e arsimit, e veçanërisht në arsimin parauniversitar.

Ndërsa, ministri Yagxhillar gjithashtu u shpreh se ky projekt është jashtëzakonisht i dobishëm për vendin tonë dhe se do të vazhdojë ta mbështes edhe me tej implementimin e tij në të gjitha mjediset e Kosovës.

Ky projekt është lansuar në prill të këtij viti në të gjitha qendrat shkollore të Kosovës dhe ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për nevojën e ruajtjes së ambientit dhe mjedisit dhe në kuadër të tij është paraparë edhe trajnimi i 1000 mësimdhënësve kryesisht nga lënda Biologji dhe Kimi. Deri më tani janë trajnuar rreth 900 mësimdhënës në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa implementimi i tij (trajnimi i mësimdhënësve) do të vazhdojë edhe në shkollat ku mësohet në gjuhët komuniteteve.

REC tashmë ka bërë shpërndarjen falas të 950 Paketave të Gjelbra në shkollat me mësim në gjuhën shqipe dhe 150 në shkollat me mësim në gjuhën serbe dhe boshnjake.
Kosova futet në listën e 18 shteteve të Evropës dhe Evroazisë që tashmë implementojnë Paketën e Gjelbër e që janë: Hungaria, Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia, Rusi, Shqipëria, Azerbajxhani, Turqia, Maqedonia, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Italia, Kazakistani dhe Kirgistani.