Austria konfirmon mbështetjen e mëtutjeshme për Arsimin në Kosovë

29 Prill 2021

Shteti austriak edhe njëherë është zotuar për ofrimin e mbështetjes së pakursyer për arsimin në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar ambasadori i Austrisë, Christoph Weidinger gjatë një vizite në MASHTI, ku ishte i shoqëruar nga shefja e Zyrës së ADA-s në Kosovë, Sandra Horina dhe koordinatorja pranë zyrës se ADA-s, Albulena Zaimi.

Ambasadori Weidinger ka uruar ministren, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin, Dukagjin Pupovci për detyrën e re teksa shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Ministrinë. Ai tha se Austria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë në mënyra të ndryshme për shtetin e Kosovës.

Në këtë takim u përmenden programet e shkëmbimit prej të cilave kanë përfituar studentët kosovarë duke u bërë pjesë e universiteteve austriake. Po ashtu, u diskutuan projektet aktuale që i mbështetur ADA në Kosovë, veçanërisht arsimi profesional.

Ministrja Nagavci premtoi se do të bëjë çmos për të ofruar mbështetjen e duhur në mbarëvajtjen e të gjitha projekteve të ADA-s që aktualisht janë duke u implementuar. Ndër të tjera, ministrja e njoftoi ambasadorin dhe dy përfaqësueset e ADA-s se arsimi është një ndër prioritet kryesore të Qeverisë.

Zëvendësministri Pupovci theksoi bashkëpunimin që ka pasur Austria me Kosovën qysh para 20 vjetëve sidomos në fushën e arsimit për çka u shpreh shumë falenderues.

Gjatë këtij takimi është diskutuar po ashtu, çështja e kompletimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Po ashtu, edhe bashkëpunimi me Austrinë në fushën e shkencës, hulumtimeve e punës kërkimore.