Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne, në të cilën Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” Arqipeshkv Vincenzo Paglia, President i Akademisë Papnore në dobi të Jetës/Kancelar i Madh i Institutit Papnor “Gjon Pali II”për Studime mbi Martesën dhe Familjen dhe themelues i Komunitetit të Sant’Egidios.
Me këtë rast, ministri Bajrami vlerësoi lartë kontributin e Monsinjor Vincenzo Paglia , si njeri ndër klerikët e shquar dhe me rol të veçantë në promovimin e paqes dhe tolerancës ndërfetare ne Evropë dhe njëri që dha kontribut të rëndësishëm në promovimin dhe afirmimin e vlerave demokratike universale në Ballkan.
“Monsinjor Paglia është njeri me shpirt e zemër të madhe , humanist i pashoq në shërbim të tolerancës , promovimit të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe njëri nga figurat e para nga komuniteti ndërkombëtarë që ndjeu dhe mishërua me hallet e njerëzve të këtij nënqielli” , tha ministri Bajrami.
Në vazhdim ministri Bajrami tha se Monsinjor Vincenzo Paglia, duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë, në vitet 90-ta pati një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e mundësisë së rikthimit të të rinjve tanë në hapësirat shkollore e universitare nga të cilat ishin dëbuar me dhunë.
Në emër të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina” , titullin Doctor Honoris Causa e ndau rektori Marjan Demaj i cili gjithashtu foli për kontributin e Monsinjor Paglias si klerik dhe humanist me vlera të rralla humane njerëzore dhe mik të çmuar të Kosovës .
Ndërsa Monsinjor Vicenzo Paglia ka falënderuar Universitetin e Prishtinës për nderimin qe i është bërë dhe se ndjehet i lumtur dhe i respektuar nga populli dhe komuniteti i arsimor në Kosovë .
Last modified: 26 Gusht, 2022