Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me drejtoreshën e Arsimit Parauniversitar, Anita Kadriu, zhvilluan sot një vizitë në Qendrën Korrektuese për të Mitur (QKM) në Lipjan.
Gjatë vizitës, delegacioni i MAShTI u prit nga zëvendësdrejtori i Qendrës, Lulzim Gashi, drejtoresha e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Trëndelina Qorraj, zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ridvan Hoti, si dhe nga stafi korrektues dhe stafi i shkollës që funksionon në kuadër të Qendrës.
Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se kjo është hera e dytë që viziton Qendrën, duke shprehur vlerësim për punën dhe përkushtimin e stafit korrektues dhe atij arsimor. Ajo vuri në pah se subvencionimi i teksteve shkollore për të miturit në QKM përbën një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të kushteve të barabarta për arsimim, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të mësimdhënësve në formimin dhe orientimin e këtyre fëmijëve.
“Është shumë e rëndësishme të angazhohemi së bashku për t’u dhënë këtyre fëmijëve një mundësi të dytë”, tha ministrja Nagavci, duke shtuar se MAShTI mbetet e përkushtuar në përcjelljen e vazhdueshme të punës që zhvillohet në Qendër, me qëllim të ndikimit pozitiv në mirëqenien e të miturve dhe ofrimin e mundësive të barabarta për ta.
Ministrja Nagavci njoftoi se, përveç sigurimit të teksteve mësimore dhe mjeteve të konkretizimit, së shpejti shkolla që funksionon në kuadër të QKM-së do të pajiset edhe me tabela digjitale, duke avancuar kushtet e mësimdhënies dhe procesin edukativo-arsimor.
Në përmbyllje, ministrja uroi që të miturit ta shfrytëzojnë periudhën e qëndrimit në Qendër për të mësuar nga gabimet dhe për të investuar në zhvillimin e tyre personal, në mënyrë që në të ardhmen të jenë të dobishëm për veten, familjen, shoqërinë dhe shtetin.
Zëvendësdrejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur, Lulzim Gashi, theksoi se për herë të parë gjatë këtij viti shkollor MAShTI ka subvencionuar tekstet shkollore për të miturit në Qendër, ndërsa përgjegjësja e shkollës, Elmie Budakova, vlerësoi përkrahjen institucionale dhe angazhimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve.