Lansohet Studimi i Fizibilitetit për Partneritete Publiko-Private si mundësi për zgjerimin e qasjes në shërbime të Edukimit të Fëmijërisë së Hershme për fëmijët e moshës 0–6 vjeç

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, mori pjesë në lansimin e Studimit të Fizibilitetit për Partneritete Publiko-Private si mundësi për zgjerimin e qasjes në shërbime të Edukimit të Fëmijërisë së Hershme (EFH) për fëmijët e moshës 0–6 vjeç në Kosovë, organizuar nga MAShTI në bashkëpunim me UNICEF-in.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Ademi theksoi angazhimin e MAShTI-t në Edukimin e Fëmijërisë së Hershme duke rikujtuar se nga viti 2021 janë ndërtuar ose janë në proces të ndërtimit mbi 73 çerdhe të reja në nivel vendi, ndërsa theksoi se është avancuar kuadri ligjor me miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe kurrikulës së parë gjithëpërfshirëse për fëmijët 0–6 vjeç, të bazuar në të nxënit përmes lojës.

Ai veçoi edhe zbatimin e skemës së kuponëve, e cila tashmë ka kaluar nga faza pilotuese në zbatim të plotë dhe siç njoftoi këtë javë pritet shpallja e mbi 300 përfituesve të rinj, duke e çuar numrin total në 330 fëmijë, kryesisht nga familjet me asistencë sociale, me qëllim rritjen e gjithëpërfshirjes në EFH.

Në këtë ngjarje, Alberto Musatti, specialist për politikat sociale në zyrat rajonale të UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me MAShTI-n dhe partnerët e tjerë. Ai përgëzoi progresin e Kosovës në rritjen e investimeve dhe shërbimeve në edukimin e hershëm, duke theksuar njëkohësisht nevojën për përmbushjen e objektivave ndërkombëtare në këtë fushë.

Nga gjetjet e Studimit të Fizibilitetit u konstatua se skema e kuponëve dhe subvencionet ofrojnë fizibilitetin dhe ndikimin më të madh për zgjerimin e qasjes në EFH.

Studimi, i prezantuar nga ekspertiza ndërkombëtarë dhe vendor, rekomandon që vendi t’u japë përparësi modeleve të shpejta dhe të përballueshme të partneriteteve publiko-private, të fokusohet në shkallëzimin e subvencioneve dhe kuponëve, të operacionalizojë Ligjin e EFH-së të vitit 2023 përmes udhëzimeve të qarta për licencim, financim dhe monitorim, të ndërtojë kapacitete institucionale dhe sisteme të qëndrueshme të të dhënave, si dhe të forcojë koordinimin midis MAShTI-t dhe komunave përmes mekanizmave të rregullt bashkëpunimi dhe një strategjie proaktive komunikimi.

Në fund, u theksua se ky studim përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes dhe rritjes së cilësisë në Edukimin e Fëmijërisë së Hershme në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors