Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar në Shkollën, Fillore dhe të Mesme të Ulët “Iliria” në Prishtinë, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke theksuar rëndësinë që kanë shkollat në parandalimin e çdo forme dhune, përmes edukimit cilësor, vlerave të respektit dhe zhvillimit të kompetencave sociale e emocionale tek fëmijët.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj para nxënësve dhe stafit arsimor të shkollës potencoi se MAShTI mbetet i përkushtuar në zbatimin e Konventës së Stambollit dhe forcimin e rolit të edukimit në parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Nagavci rikujtoi se Ministria ka hartuar dokumente të dedikuara për shkollat, si Informatorin për Procedurat Standarde për Veprim në Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Informatorin për Konventën e Stambollit dhe Udhëzuesin për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për identifikimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të cilat mbështesin krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për nxënësit.
Ndërsa, Merita Jonuzi nga MAShTI prezantoi përmbajtjen e Udhëzuesit për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për identifikimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje para nxënësve dhe stafit arsimor, duke ofruar sqarime praktike për zbatimin e tij në shkollë.
Në fund të aktivitetit, nxënësit e shkollës “Iliria”, bazuar në udhëzuesit e MAShTI-t, prezantuan një video sensibilizuese dhe një program të shkurtër artistik kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, duke treguar angazhimin e tyre për ndërgjegjësim dhe edukim.