Shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Qendra Burimore “Përparimi”, i cili u zhvillua nën moton e këtij viti: “Ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara si bazë për përparimin shoqëror.”

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, synon të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat, përfshirjen dhe mundësitë e barabarta të personave me aftësi të kufizuara në arsim, punë dhe shoqëri.

Ministrja Nagavci thekson rëndësinë e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë ka mundësi të barabarta për arsim, zhvillim dhe jetë me dinjitet. Nxënësit me aftësi të kufizuara janë pjesë e pandashme e komunitetit dhe kanë talent dhe potencial të jashtëzakonshëm. Ministria e Arsimit punon për një sistem ku përfshirja është praktikë e përditshme, përmes qasjes së barabartë në arsim, mbështetjes profesionale dhe përdorimit të teknologjisë ndihmëse.

Nagavci riafirmon se askush nuk duhet të diskriminohet apo përjashtohet. Përfshirja është një vlerë njerëzore që kërkon bashkëpunim me familjet, profesionistët dhe shoqërinë, duke krijuar shkolla dhe komunitete që fuqizojnë çdo fëmijë dhe sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë.

Ndërsa, Drita Dushi, Drejtoreshë e Qendrës Burimore “Përparimi”, theksoi se Dita Nderkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara na kujton rëndësinë e barazisë dhe përfshirjes. Në qendër, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara mbështeten për të zhvilluar talentin dhe potencialin e tyre. Aftësia e kufizuar nuk është pengesë, por pjesë e diversitetit njerëzor, dhe kjo ditë shërben si thirrje për veprim drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors