U mbajt Konferenca Vjetore Erasmus+ mbi Publikimin e Rezultateve dhe Ceremonia e Dhënies së Çmimit NQL dhe Çmimeve Kombëtare për projektet e binjakëzimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Konferencën Vjetore Erasmus+ mbi Publikimin e Rezultateve, e cila u shoqërua me Ceremoninë e Dhënies së Çmimit National Quality Label (NQL) dhe Çmimeve Kombëtare për projektet e binjakëzimit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka prezantuar rezultatet e jashtëzakonshme të Kosovës në thirrjen Erasmus+ 2025, ku janë fituar 19 projekte në arsimin e lartë dhe 8 në arsimin profesional, duke përfshirë gjithsej 28 institucione përfituese. Ajo ka theksuar se për herë të parë pesë projekte janë të koordinuara nga institucionet vendore, ndërsa pothuajse të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë pajisur me Kartën Evropiane për Arsim të Lartë (ECHE). Po ashtu, mobilitetet ndërkombëtare kanë shënuar rritje të rëndësishme, me mbi 2,000 pjesëmarrës dhe 15 bursa Erasmus Mundus gjatë vitit të kaluar.

Ajo vuri në pah edhe përparimin në arsimin parauniversitar përmes platformave eTwinning dhe EPALE, ku pjesëmarrja e mësuesve është dyfishuar dhe janë realizuar 15 projekte evropiane, disa prej të cilave janë shpërblyer me Çmime Kombëtare dhe Etiketa Evropiane të Cilësisë. Ministrja Nagavci theksoi se këto rezultate reflektojnë përkushtimin e MAShTI-t dhe mbështetjen e BE-së në modernizimin e sistemit arsimor dhe krijimin e më shumë mundësive për nxënësit, studentët dhe stafin akademik.

Ndërsa, Robert Perr nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë theksoi suksesin e Erasmus Plus si një program që afron Evropën tek të rinjtë, duke ofruar mundësi shkëmbimi akademik, kulturor dhe sportiv. Ai nënvizoi rëndësinë e konkurimit për të përfituar këto mundësi dhe rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional në përmirësimin e arsimit dhe zhvillimin e të rinjve, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë ceremonisë u ndanë Çmimi NQL dhe Çmimet Kombëtare për shkollat dhe mësimdhënësit që janë dalluar me projekte të suksesshme të binjakëzimit, duke u vlerësuar për angazhimin, kreativitetin dhe inovacionin në kuadër të platformës eTwinning.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors