Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës (IKKL), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, organizuan sot Forumin e dytë “Zá n’Kujtesë”, i cili i’u kushtua një prej kapitujve më të rëndë dhe më pak të ndriçuar të historisë së Kosovës , helmimeve masive të mijëra nxënësve shqiptarë gjatë viteve 1990/1992.
Në aktivitet morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët vlerësuan domosdoshmërinë e dokumentimit, adresimit dhe përkujdesjes institucionale mbi këtë ngjarje të rëndë të viteve ’90.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu theksoi se në këtë ngjarje të dhimbshme u dëshmua përdorimi i materieve kimike ushtarake ndaj nxënësve shqiptarë, duke realizuar një sulm kimik mbi fëmijët e Kosovës.
Ajo theksoi se këto helmime ishin pjesë e skemës së gjerë të krimeve serbe që kulmuan me krimet e viteve 1998/1999, duke u zotuar se institucionet do të vazhdojnë punën për dokumentimin, trajtimin dhe kërkimin e drejtësisë për këtë kapitull të dhimbjes dhe të rezistencës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi se sot jemi bashkuar për të rikthyer në kujtesë një nga krimet më makabre dhe më djallëzore që mbeten të gjalla në memorien kolektive.
Kurti rikujtoi se rastet e para të helmimeve u evidentuan në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, për t’u përhapur më pas në 20 qytete dhe 11 fshatra të Kosovës, si dhe në fabrika, çerdhe e institucione të tjera, duke e çuar numrin e të helmuarve në mbi 7 mijë nxënës.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se historia e popullit shqiptar, e ndërtuar mbi qëndresë, është po aq e shënuar nga dhimbja dhe dhuna sistematike e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ajo rikujtoi se helmimi masiv i mbi 7 mijë nxënësve mbetet një nga ngjarjet më të rënda, kur fëmijë të mitur përfundonin të shtrirë në korridore shkollash, me vështirësi në frymëmarrje, marramendje dhe humbje vetëdijeje.
“Ndërkohë që mjekët tanë dokumentuan raste reale klinike, institucionet serbe mohuan çdo helmim, i quajtën nxënësit ‘simulantë’ dhe ushtruan represion mbi mjekët, mësuesit dhe institucionet shqiptare”, theksoi Nagavci.
Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, u shpreh se ky forum synon ruajtjen dhe transmetimin e së vërtetës historike përmes fotografive, dokumenteve arkivore dhe dëshmive të kohës, duke krijuar një hapësirë të domosdoshme për kujtesë, reflektim dhe ndërgjegjësim shoqëror.
Një dëshmi e veçantë u nda nga Shqipe Gashi, njëra nga nxënëset e helmuara të asaj kohe dhe sot zyrtare e MAShTI-t. Ajo tha se të flasësh për atë periudhë mbetet një përvojë e vështirë dhe e rëndë. Gashi kujtoi majin e vitit 1990, kohën kur ishte maturante me ëndrra për të vijuar studimet, duke ndjekur mësimin pasdite në objektin e Shkollës së Normales. “E mbaj mend momentin kur u alivanova në oborr”, theksoi ajo, duke shtuar se kjo gjendje i ishte përsëritur disa herë, përjetime që kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën e saj.