Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar aktivitetin përmbyllës të Javës kundër Braktisjes së Shkollimit, i cili mblodhi përfaqësues nga MAShTI, komunat, shkollat dhe partnerë institucionalë.
Qëllimi ishte reflektimi mbi zbatimin e politikave për parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.
Paneli u hap nga zëvendësministri Arsim Ademi, së bashku me udhëheqësin e programit për të drejtat e njeriut nga OSBE, Artan Kasumi, dhe eksperten e edukimit nga Save the Children, Lulavere Behluli.
Zëvendësministri Ademi me këtë rast ka theksuar se,trajtimi i braktisjes nënkupton adresimin e barrierave sociale, ekonomike dhe komunitare, duke garantuar që çdo fëmijë të ketë qasje, mbrojtje dhe mbështetje të plotë në vijimin e arsimit.
Të dhënat e prezantuara nga Merita Jonuzi Bajraktari nga MAShTI tregojnë ulje të braktisjes në arsimin e obligueshëm nga 0.10% në 0.06% (107 nxënës) dhe në arsimin e mesëm të lartë 1.68% (1069 raste), ndërsa Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm evidentoi 82 nxënës në rrezik.
Në vazhdim, pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjojnë perspektiva nga komunat, drejtorët e shkollave dhe vetë nxënësit, të cilët ndanë përvojat dhe sfidat praktike në terren, duke kontribuar me rekomandime të vlefshme për përmirësimin e mekanizmave ekzistues.
Ngjarja përfundoi me ndarjen e mirënjohjeve për shkollat pjesëmarrëse dhe një sesion bashkëbisedimi për sugjerime dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e mekanizmave kundër braktisjes së shkollimit.