Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim (QSHHZH), ka përmbyllur me sukses trajnimin pesëditor të kandidatëve të mundshëm për trajnerë të Kurrikulës së re për Edukimin e Hershëm në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve të punës intensive, trajnerët dhe pjesëmarrëset patën mundësinë të thellojnë njohuritë dhe të zhvillojnë kompetenca të rëndësishme për zbatimin e kurrikulës për fëmijët e moshës 0–6 vjeç.
Trajnimi adresoi temat kyçe të zhvillimit të hershëm, ndër to:
imazhin dhe zhvillimin e fëmijës; të nxënit përmes lojës; rolin profesional të edukatorëve; vëzhgimin, dokumentimin dhe planifikimin pedagogjik; vlerësimin e të nxënit dhe progresit të fëmijëve; krijimin e mjediseve stimuluese dhe gjithëpërfshirëse; si dhe bashkëpunimin me prindërit si faktor thelbësor në zhvillimin e hershëm.
Trajnimi shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale në fushën e edukimit të hershëm, duke synuar zbatimin e qëndrueshëm dhe cilësor të kurrikulës së re në të gjitha institucionet edukativo-arsimore.