Në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën Veriore është vendosur sot gurthemeli i shkollës së re fillore, projekt ky që shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor për nxënësit e kësaj ane.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe këshilltari i lartë politik i ministres në detyrë të Arsimit, Muhedin Nushi.
Ministri Sveçla tha se ky është projekti i radhës sa i përket infrastrukturës arsimore, pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes dhe shkollës të cilat u zyrtarizuan në fillim të këtij muaji.
Kryetari Atiq theksoi se, shkolla e re po ndërtohet në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet MAShTI-t dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ai gjithashtu bëri të ditur se, investitor i projektit është MAShTI, ndërsa objekti do të ketë sipërfaqe prej 1920 m², të parapara për 350 nxënës, me vlerë investimi prej 2,320,160.92 euro dhe afat ndërtimi prej 15 muajsh.
Në fjalën e tij, këshilltari i lartë politik, Muhedin Nushi, theksoi se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar kushte sa më të mira për arsimin e fëmijëve tanë. Ai shtoi se ky gurthemel nuk është vetëm fillimi i një ndërtese të re, por edhe i një hapësire ku do të lindin ëndrrat, dijet dhe e ardhmja e brezave të rinj të kësaj zone.
Këshilltari Nushi po ashtu tha se nga viti 2021, MAShTI ka investuar gjithsej 162,459,258.07 euro në infrastrukturë arsimore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa vetëm për ndërtimin dhe renovimin e shkollave janë investuar mbi 75 milionë euro në 34 komuna. Këto investime do të vazhdojnë me qëllim të krijimit të kushteve moderne dhe cilësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.