Ministrja Nagavci zhvilloi takime bilaterale në kuadër të Takimit Ministror për Hulumtim dhe Inovacion në Podgoricë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka zhvilluar disa takime bilaterale në kuadër të Takimit Ministror të Platformës Drejtuese për Hulumtim dhe Inovacion që u mbajt në Podgoricë.

Në këtë kuadër, ministrja Nagavci u takua me Komisioneren Evropiane për Startups, Hulumtime dhe Inovacion, znj. Ekaterina Zaharieva, ku theksoi se kërkimi dhe inovacioni janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.

Ajo përmendi konsolidimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe miratimin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023–2028, që përfaqësojnë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të sistemit kërkimor dhe inovativ në përputhje me standardet evropiane.

Ministrja paraqiti si hapa pozitivë, pjesëmarrjen e Kosovës në programin Horizon Europe, pjesëmarrjen në rritje në Asociacionin COST të komunitetit të kërkimit në vend dhe përafrimit në zonën evropiane të kërkimit.

Tutje, Ministrja Nagavci, u takua me Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi, znj. Andjela Jaksic Stojanovic, ku u diskutua për bashkëpunimin ndëruniversitar dhe rritjen e mobilitetit akademik përmes programeve ekzistuese te shkëmbimit akademik. Të dy ministret shprehën gatishmërinë për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit.

Gjithashtu, ministrja Nagavci takoi presidenten e Asociacionit COST, prof. Ase Gornitzka, me të cilin diskutoi për sukseset e komunitetit të kërkimit në Kosovë në asociacionin COST.

Kosova merr pjesë në programin COST nga viti 2018. Komuniteti i kërkimit nga Kosova tani merr pjesë në rreth 52% të projekteve ekzistuese të COST, një përqindje mjaft premtuese që dëshmon angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e studiuesve tanë në projekte ndërkombëtare multidisiplinare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors