Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti një grup ekspertësh të arsimit profesional të kantonit të Cyrihut të Zvicrës , me të cilët bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve,mundësitë e trajnimit të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave profesionale , njëherësh u prezantua një program dokumentar të punës praktike të nxënësve në ndërmarrje dhe institucione të Zvicrës.
Ministri Bajrami, njoftoi mysafirët për ecuritë në arsimin e Kosovës, me fokus arsimin profesional, me ç`rast tha se mësimi dual, ndërlidhja e shkollës me ekonominë është synim yni i së ardhmes, ndërsa shtoi se jemi shumë të angazhuar që të krijojmë partneritete shkollë ndërmarrje dhe krahas kësaj rritjen e cilësisë në arsim.
Ministri Bajrami theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, që Kosova , të përfitojë nga përvoja dhe modelet zvicerane të organizimit të arsimit profesional, si një ndër sistemet më të avancuara të arsimit në botë , njëherësh tha se aftësimi i të rinjve për tregun e punës në rini të hershme është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.
Ministri Bajrami gjithashtu tha se, është me rëndësi të veçantë orientimi në karrierë, punësimi i të rinjve në rini të hershme ku ata do të pavarësohen, të bëhen të zotë në profesionin e tyre, të krijojnë të ardhura dhe një ditë mbase të vazhdojnë edhe me shkollimin e lartë, ndërsa modelet zvicerane të arsimit profesional janë shembull i mirë që duhet të ndjekim edhe ne tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami ka falënderuar vendet e Bashkimit Evropian, me ndihmën e të cilave tashmë janë ndërtuar disa Qendra të Kompetencës, ku zhvillohet mësimi teorik dhe praktik , ku nxënësit, përkatësisht shkolla krijojnë produkte për treg , por theksoi nevojën e hartimit të kurrikulës dhe teksteve shkollore adekuate për arsimin profesional, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve.
Ndërsa, z Giorgio Ciroli , ekspert i arsimit profesional dhe menaxhimit publik tha se është shumë i impresionuar me të arriturat e Kosovës për një periudhë të shkurtër dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje në zhvillimin e arsimit profesional, në Kosovë për faktin se kjo shton gjasat për punësim të të rinjve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fund u prezantua një material dokumentar, i gjiruar në ambiente të ndryshe në kohën kur nxënësit zviceran bëjnë punën praktike, duke ofruar kështu një model të mirë të organizimit të mësimit, ndërlidhjes se teorisë me praktikën.