Janë nënshkruar kontratat e para në mes të 24 nxënësve të klasës së 10-të të Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe përfaqësuesve të 8 ndërmarrjeve të përpunimit të drurit, me qëllim të zbatimit të mësimit dual, i cili këtë vit po aplikohet në 12 profile, në 14 komuna të Kosovës.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/426764491-773766144782754-1048367818766991967-n-1024x682.jpg)
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi dhe Valbona Fetiu Mjeku nga Departamenti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave në mes të nxënësve dhe përfaqësuesve të ndërmarrjeve, në të cilat nxënësit do të ndjekin mësimin praktik.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/426900232-773766201449415-2268135638521731496-n-1024x682.jpg)
Këshilltari Nushi, në emër të ministres Nagavci falënderoi ndërmarrjet për gatishmërinë e tyre për të angazhuar nxënësit, ndërsa uroi që nxënësit të përfitojnë sa më shumë dhe të arrijnë të zbatojnë në praktikë mësimet të cilat i marrin në klasë.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/426463033-773766111449424-3744802522269436444-n-1024x683.jpg)
Nushi bëri të ditur se, me rastin e nënshkrimit të kontratave, nxënësit krahas zhvillimit të shkathësive në aspektin praktik përfitojnë edhe materialisht, gjithmonë duke kryer suksesshëm punën e tyre.
Ndër të tjera, këshilltari Nushi ka thënë se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar në zhvillimin e mekanizmave të cilat nxisin aftësimin e të rinjve për tregun e punës.
Valbona Fetiu Mjeku nga Departamenti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, foli për përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe ministrive të linjës, për të çuar përpara procesin e zbatimit të mësimit dual. Ajo bëri të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kontratat e nxënësve për zbatimin praktik të mësimit, do të hyjnë në Ligjin e Punës, i cili është duke u rishikuar.
Drejtori i ndërmarrjes “Shehu”, Kreshnik Shehu, u shpreh i lumtur që nxënësit janë duke filluar punën praktike në ndërmarrjen që ai drejton, ndërsa tha se kjo është një mundësi e mirë për të dy palët.
Ndërsa, Besart Krasniqi i cili do ta fillojë punën praktike në këtë ndërmarrje, u ka bërë thirrje moshatarëve të tyre që të ndjekin arsimin profesional. Ai tha se kjo praktikë do t’u ndihmoj që të aftësohen në karrierë.
Ndryshe, Ministria e Arsimit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe donatorëve të tjerë, ka lansuar fushatën “Mësimi dual:Mundësi për punësim dhe vetpunësim të të rinjve”, e cila synon të kontribuojë në ndryshimin e perceptimit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, si dhe të nxjerr në pah rëndësinë e AAP-së në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/426427063-773766161449419-3736596609100698990-n-1024x683.jpg)
Last modified: 29 Shkurt, 2024