MASHT

NË DITËN E SHKOLLËS NË ARLLAT, MINISTRI BYTYQI PËRUROI FUSHËN E SPORTEVE

16 Prill, 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në shënimin e Ditës së Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Mehdi e Sylejman Bytyqi” në Arllat të Drenasit, me ç’rast përuroi fushën e sporteve, që është investim i Ministrisë së Arsimit.

Ministri Bytyqi, duke vlerësuar lartë kontributin e dy dëshmorëve të këtij fshati, emrin e të cilëve e mbanë shkolla tha se, Mehdi dhe Sylejman Bytyqi bartnin në vete vlera njerëzore, të cilat do të mbesin përherë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i njohin.

“Kjo festë është më e rëndësishme se sa vetëm një ditë e shkollës, kjo pasi që emrat e dy dëshmorëve e madhështojnë këtë shkollë. Mehdi dhe Sylejman Bytyqi ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, u shpreh ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, uroi mësimdhënësit dhe nxënësit për këtë ditë feste, ndërsa i ftoi që së bashku të përkushtohen maksimalisht, në mënyrë të kontribuojnë në realizimin e synimeve për arsim më të mirë.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, MAShT do të angazhohet që pas këtij investimi të marrë përsipër edhe pajisjen e shkollës me inventarë të ri.

Më pas, ministri Bytyqi ka vendosur lule te busti i dy dëshmorëve, Mehdi dhe Sylejman Bytyqi, si dhe te varrezat e tyre në Kleçkë.

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.