MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI UDHËHEQËSIT E FAKULTETIT TË EDUKIMIT FIZIK DHE SPORTIT TË UP-SË

9 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS) të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Musa Selimi, të shoqëruar nga Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), si dhe prodekani Florian Miftari dhe sekretari i Fakultetit, Gani Ibrahimi.

Në këtë takim, dekani Selimi e informoi Ministren për të arriturat që ka shënuar ky Fakultet, por edhe për vështirësitë që ka për shkak të infrastrukturës së dobët. Në këtë drejtim, ai kërkoi që Palestra “1 Tetori” të lejohet të shfrytëzohet më shumë nga studentët e këtij fakulteti.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për mundësinë e rritjes së fondit të orëve të Edukatës Fizike nëpër shkolla fillore dhe të mesme, si dhe për organizimin e Kampionatit Botëror për Universitete në Hendboll dhe mundësisë për ta shfrytëzuar Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 600 garuesit që do të marrin pjesë.

Ministrja Nagavci përgëzoi udhëheqësit e Fakultetit për punën që është bërë në fushën akademike, por edhe për kontributin e madh që ka dhënë ky fakultet në zhvillimin dhe avancimin e sporteve në Kosovë.

Po ashtu, ministrja Nagavci premtoi se do të merret seriozisht me të gjitha çështjet që u diskutuan dhe me çdo kërkesë që ka për qëllim avancimin e FEFKS, nga i cili përfitojnë studentët dhe nxënësit, por edhe sportistët në Kosovë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.