MASHT

Ministri Hoxhaj emëroi Rektor të Universitetit të Prizrenit

26 Gusht, 2010

“Për këtë vit akademik Universiteti i Prizrenit do të ofrojë 6 programe studimore, do të jetë shumë etnik për nga gjuhët që do të përdoren dhe regjional për nga studentët që do të ketë”, tha ministri Hoxhaj në konferencën për media. 
Rektori themelues i Universitetit të Prizrenit, Prof. Dr. Ronald Moench, do të ushtroi këtë detyrë nga 1 Tetori 2010 deri në fund të muajit shtator 2011.

Në një konferencë për media, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Hans-Dieter Steinbach, prezantuan Rektorin e Universitetit të Prizrenit Prof.Dr.Ronald Moench.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj me këtë rast është shprehur se, “Jam i lumtur që sot po emëroj Rektorin themelues të Universitetit të Prizrenit, z. Ronald Moench dhe kësisoj po fillon një fazë e re zhvillimore e institucionit të lartë të dytë Publik në Republikën e Kosovës.

Përzgjedhja e Rektorit është bërë nga një komision të cilin e përbëjnë ish – rektor të Universiteteve Austriake dhe Britaneze, nga rektori themelues të Universitetit të Tetovës z. Kerington, nga prorektor të Universitetit të Prishtinës dhe nga shefja Agjenconit të Kosovës për Akreditim.

Universiteti i Prizrenit do të jetë shumë disiplinar për nga mënyra e studimit, shumë etnik për nga gjuhët që do të fliten, regjional për nga studentët që do të pranojë dhe internacional për formën e bashkëpunimit që do të ketë. Janë 6 drejtime që do të ofrohen si programe studimore gjatë këtij viti akademik, ndërsa Rektori themelues i Universitetit të Prizrenit z Moench, do të ushtroj këtë detyrë nga tetori 2010 deri në fund të shtatorit 2011″.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Hans Dieter Steinbach, theksoi se “Ideja e Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit është e kahmotshme dhe unë gëzohem që edhe institucionet gjermane kanë ndihmuar në ndërtimin e këtij universiteti. Po ashtu, gëzohem që komisioni përzgjedhës ka propozuar një profesor gjerman që të jetë rektor themelues i këtij universiteti. Me profesorin Moench, komisioni përzgjedhës ka bërë një zgjedhje të mirë. Profesori Moench ka një përvojë të madhe në themelimin e universiteteve dhe institucioneve të tjera në Gjermani, por me vete sjellë edhe një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare.

Siç e dini, Republika e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës kanë një bashkëpunim të mirë në fushën e arsimit. Deri më tani bashkëpunimi ynë ka qenë i fokusuar kryesisht në arsimin parauniversitar, por me emërimin e profesorit Moench ne po plotësojmë ndihmën tonë edhe në arsimin e lartë. Jam shumë i sigurt se puna e profesorit Moench në Universitetin e Prizrenit do të nxisë një bashkëpunim edhe më të mirë ndërmjet institucioneve arsimore të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë. Ne do të bëjmë çmos që të përkrahim këtë universitet në mënyrë që të krijojmë një platformë të re për të rinjtë kosovarë, për një të ardhme më të mirë të tyre”.

Prof.dr.Ronald Moench, rektor themelues i Universitetit të Prizrenit ndër tjera tha se “I falënderohem shumë ministrit Hoxhaj për besimin që më ka dhënë mua dhe vendit tim Gjermanisë. Ne do të punojmë shumë në këtë Universitet, në mënyrë që të arsyetojmë këtë besim. Jam lidhur shumë me ketë shtet, ngase kam përcjellë të gjitha zhvillimet deri në pavarësimin e Kosovës nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare. Ne në Gjermani kemi hapur shishe të shampanjës, herën e parë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e dyta për mendimin e GJND-së.

Puna ime nuk do të përbëhet vetëm nga nacionaliteti, por të do të ketë edhe shumë emocione. Ky është një parakusht shumë i mirë për kënaqësi në punë. Unë bashkë me ministrin Hoxhaj kemi qenë në një konferencë të ngjashme para disa kohëve. Atëherë nuk e kam ditur se çfarë do të bëhem sot. Por, një gjë e kam ditur që Universiteti i Prizrenit është një vepër e madhe e këtij shteti dhe kjo punë meriton respektin më të madh dhe përkrahjen më të madhe që mund të jap një njeri. Nuk është e tepruar nëse them se kjo është një ditë historike për shtetin e ri të Kosovës.

Ne kemi një agjendë të mirëfilltë dhe të detajuar, e cila përmban të gjitha pikat e nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e një Universiteti. Një pjesë e rëndësishme e kësaj agjende është vazhdimi i punëve në Universitet për pesë vjetët e ardhshme. Planifikimin do ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me MASHT dhe Universitetin e Prishtinës.

Ne do të krijojmë edhe një bashkëpunim shumë të ngushtë me komunën e Prizrenit. Për një rektor që vjen nga Gjermania është e pritshme që të ndërtojë një Universitet me profil ndërkombëtar. Ky Universitet ka për detyrë që të krijojë një format të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të krijojmë një rrjet bashkëpunimi me universitetet gjermane, zvicerane dhe angleze. Ne do t’u mundësojmë studentëve të dalluar që të vazhdojnë studimet e tyre në Universitete ndërkombëtare.

Synimi është që të krijohen standarde evropiane të Universitetit. Jam shumë i lumtur se qysh në ditën e parë mund të them se pesë Universitete gjermane janë të gatshme të pranojnë një numër të madh të studentëve kosovar. Një rektor që është përplot optimizëm dhe që e din se mund të gjejë përkrahjen e plotë të një stafi administrativ që e pret aty. Përparësitë e një Universiteti qëndrojnë në koordinim të një ekipi të mirë dhe këtë tani më e kemi arritur”.

Në fund, ministri Hoxhaj ka falënderuar Ambasadorin e Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës, ndërsa Rektorit të ri i uroj sukses në punën e tij duke i ofruar edhe mbështetjen e pakursyeshme të MASHT-it për të shtuar se, “nuk do të ndalemi për asnjë çast në rrugën tonë që Kosovën ta bëjmë Shtet të Dijes”.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.