MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË TAKIMIN E KËSHILLIT MINISTROR PËR INTEGRIM EVROPIAN

3 Qershor, 2019

03 Qershor 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në të cilën u diskutua rreth Raportit të fundit të KE-së për Kosovën, si dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Me këtë rast, ministri Bytyqi ka folur për rekomandimet e dala nga Raporti i KE-së në fushën e arsimit, ku ka theksuar vështirësitë në miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. “Ligji për Arsimin e Lartë është një ligj shumë i rëndësishëm, mirëpo që ka vështirësi në miratimin e tij në Parlament, për shkak të vet specifikës së ligjit që kërkon shumicën e komunitetit dhe ju e dini situatën që është në Parlamentin e Kosovës, prandaj vështirë që mund të miratohet edhe këtë vit ky ligj”, ka thënë ministri Bytyqi.

Megjithatë, Ministri ka theksuar se për ta zbutur situatën në këtë drejtim, gjatë vitit 2019, MAShT ka marrë iniciativë për të rishikuar statutet e universiteteve publike, të cilat kanë funksionuar me statute të përkohshme, duke pritur miratimin e Ligjit të ri për t’i harmonizuar.

Ndërsa, duke folur për problemin e qasjes në edukimin në fëmijërinë e hershme, ministri Bytyqi theksoi mungesën e madhe të objekteve të institucioneve parashkollore në tërë Kosovën.

“Kemi mungesë të madhe të objekteve të çerdheve në tërë Kosovën dhe kjo e pamundëson një rritje të kënaqshme siç parashihet në kërkesat e Komisionit Evropian, që është një kërkesë për rritje të përfshirjes deri në 90 përqind, e që është vështirë të realizohet në Kosovë, sidomos pjesa 0-3 vjet, ku kemi vështirësi të mëdha”, tha Ministri.

Por, ministri Bytyqi theksoi se edhe në këtë pikë, si hap për ta zbutur situatën, MAShT është duke mbledhur informacione nga DKA-të, që të kemi mundësi të identifikojmë shkollat ku ka hapësira që mund të shfrytëzohen për institucione parashkollore. Ministri theksoi se pasi të mblidhen këto informacione, do të hartohet një plan konkret, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave, për të shikuar mundësitë financiare që kërkohen për rikthim në institucione parashkollore të hapësirave brenda shkollave.

Divizioni për Komunikim Publik

Tel: 038 213 065

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.