MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Fuqizimi përmes lidershipit”

8 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga dhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, z.Greg Delawie morën pjesë në ceremoninë përmbyllëse të projektit të KUSA (Kosovo United States Alumni), “Fuqizimi përmes lidershipit“ .

Me këtë rast, ministri Bajrami dhe znj. Arta Agani, përfaqësuese e KUSA-s, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi, qëllimi i të cilit është të finalizojë bashkëpunimin dhe partneritetin mes KUSA–n dhe MAShT.

Ministri Bajrami tha se është mirë që të rinjtë tanë, të cilët patën rastin të jenë pjesë e programeve të KUSA-s në ShBA, të ndajnë përvojat me të tjerët dhe kështu të përfitojmë sa më shumë si shoqëri nga mundësi të tilla. 

Në vazhdim, ministri Bajrami theksoi se po punojmë shumë afër me Qeverinë Amerikane dhe përmes projekteve të USAID-it dhe projektin “Transferimi i lidershipit” të përfitojmë sa më shumë nga këto praktika, të cilat do të donim t’i bëjmë pronësi vendore, që të kemi një qeverisje dhe menaxhim të mirë.

“Dëshirojmë të kemi një sistem arsimor cilësor, një sistem i cili edhe ndryshon mentalitete, për faktin se Kosova është vend i shpresave, vend i mundësive, duke promovuar kështu edhe standardet e larta të barazisë gjinore”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se programe si këto ofrojnë mundësi të mësojmë se si duhet të përballemi edhe me kriza të ndryshme, se si të menaxhojmë sa më mirë me resurset që kemi, gjë që i duhet Kosovës. 

Ministri përmendi edhe faktin se dy vitet e fundit mbi 180 studentë janë dërguar për master universitete prestigjioze të ShBA-ve.

Qëllimi i KUSA-s (organizatë joqeveritare), e cila u themelua me ndihmën e ambasadës së ShBA-vë në Kosovë, është të promovojë vlerat demokratike, parimet dhe përvojat që anëtarët e saj i kanë fituar nëpërmjet programeve të ndryshme në ShBA. 

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.