MASHT

Ministri Bajrami mori konfirmim nga Komisionari Evropian për Arsim për mbështetjen e sektorit të arsimit

14 Korrik, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim Komisionarin Evropian për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, z. Tibor Navracsics, të shoqëruar nga znj. Adrienne Kiraly, zëvendës shefe e Kabinetit të Komisionerit dhe z. Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
 
Ministri Bajrami, gjatë këtij takimi, e ka njoftuar Komisionarin Navracsics për gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit dhe hapat që janë duke u ndërmarrë në drejtim të ngritjes së cilësisë. “Treguam që jemi të vendosur për të krijuar një arsim cilësor, për të punuar në reformimin e programeve mësimore në të gjitha nivelet e arsimit”.


 
Ministri Bajrami tha se Bashkimi Evropian është donatori më i madh në sektorin e arsimit dhe theksoi se me ndihmën e fondeve evropiane ka filluar projekti i madh i ndërlidhjes së sistemit të arsimit me nevojat e tregut të punës.
 
Ministri Bajrami theksoi se me Komisionarin Navracsics ka biseduar edhe për përpjekjet për reformimin e institucioneve publike të arsimit të lartë, vendosmërinë për të ofruar një ligj të mirë për arsimin e lartë, vendosmërinë për ta integruar Universitetin e Mitrovicës së Veriut, krijimin e mundësive për Kosovën që të përfitojë sa më shumë fonde nga projektet evropiane, si dhe për synimin që Kosova sa më shpejt të jetë anëtare e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, duke u bazuar në merita dhe në cilësi. “Pranuam zotimin e Komisionarit që Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë sektorin e arsimit, do të vazhdojë të investojë në reformat në arsim” tha ministri Bajrami.
 
Ndërsa, Komisionari Evropian për Arsim, z. Tibor Navracsics, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës në fushën e arsimit dhe reformat e arsimit në Kosovë janë shumë të rëndësishme për zyrtarët e BE-së. “Reforma e sistemit të arsimit nuk është vetëm politikë për të sotmen, por edhe politikë për të ardhmen. Niveli i arsimit dhe cilësia e arsimit mund ta përcaktojnë të ardhmen e njohurive për gjeneratat e ardhshme, aftësitë e tyre, sjelljet, dhe mund ta përcaktojë stabilitetin e shoqërisë dhe demokracisë”.
 
Isha shumë i kënaqur, theksoi komisionari Navracsics, kur dëgjova se Republika e Kosovës ka një ministër të Arsimit, i cili është shumë ambicioz, i cili përmes reformës së arsimit në mënyrë precize i ka synuar hapat dhe masat që do të ndërmarrë në të gjitha nivelet e arsimit. Komisionari Evropian për Arsim tha se, BE-ja është shumë e interesuar për mbështetjen e reformave të arsimit në Kosovë dhe për këtë nevojiten partnerë të mirë dhe fqinjë të mirë.
 
Pasi që theksoi faktin se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht sektorin e arsimit, z. Navracsics theksoi se, do të ketë burime financiare që do t’i kemi në dispozicion në të ardhmen. “Shpresoj se të gjitha përpjekjet dhe ambiciet do të plotësohen në të ardhmen. Pasi të nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizimit të Asociimit, do të kemi një bashkëpunim më të mirë përmes Erasmus +, Horizon 2020 dhe programeve tjera”.
 
Ministri Bajrami më pas ka marrë pjesë ne ligjëratën që e ka mbajtur Komisionari Navracsics në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
 
Komisionari Evropian për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, është niveli më i lartë i BE-së që e viziton MAShT-in dhe Qeverinë e Kosovës.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.