MASHT

Ministri Bajrami kërkoi nga DKA-të angazhim maksimal për organizimin e Provimit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë

6 Maj, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka kërkuar sot nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) të mobilizohen për një organizim sa më të mirë të Provimit të Maturës dhe të Testit të Arritshmërisë, duke qenë se tashmë jemi afër përfundimit të vitit shkollor.

Në takimin e rregullt me drejtorët komunal të arsimit, ministri Bajrami theksoi se vitin tjetër do të publikohen rezultatet e tesit ndërkombëtar PISA, në të cilin sivjet për herë të parë ka marrë pjesë Kosova. Ai tha se cilido që të jetë rezultati, do të na ndihmojë shumë në përmirësimin e politikave arsimore.

Ministri, po ashtu, kërkoi nga drejtorët e arsimit të komunave që të kontaktojnë me ndërmarrjet që veprojnë në komunat e tyre, në mënyrë që nxënësit e shkollave profesionale të kenë mundësi të kryejnë praktikën.

Ndërkaq, nga drejtorët e komunave ku funksionojnë edhe universitetet publike, kërkoi që t’i ndihmojnë këto universitete dhe të shikojnë mundësitë për ndarjen sa më shpejt të parcelave ku do të ndërtohen kampuset universitare në ato komuna ku ende nuk është bërë kjo.

Po ashtu, ministri Bajrami kërkoi nga drejtoritë komunale që të gjejnë mënyra për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve, duke përjashtuar këtu maturantët.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.