MASHT

Ministri Bajrami i ndau mirënjohje Dr. Papas Antonio Belushit

25 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot albanologun Dr. Papas Antonio Belushi, të cilit i ka ndarë mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në hulumtimin e thelluar të kulturës shqiptare në shtrirje gjithëkombëtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë me veprën “Arbërorët –arvanitë një popull i padukshëm”.

Ministri Bajrami, tha se, është nder i veçantë, që ta presë dhe të ndajë mirënjohje për albanologun Belushi, duke çmuar lartë kontributin e tij për kulturën shqiptare. 

“Është një nder i veçantë për Ministrinë e Arsimit, por edhe për Qeverinë e Kosovës, që të presim veprimtarin e madh, albanologun dhe etnologun e çështjes shqiptare, z. Antonio Belushi, një albanolog i shquar i çështjes arbëreshe, i cili ka krijuar vepra dhe gjithë jetën ja ka kushtuar studimeve të albanologjisë, jo vetëm në Kalabria dhe në territoret ku ai ka jetuar, por edhe më gjerë”, tha ministri Bajrami.

Ministri, po ashtu tha se, z. Belushi është një personalitet me të cilin krenohet kombi ynë, ndërsa theksoi se ai po e viziton Kosovën tashmë të pavarur. 

Ndërsa, Dr. Papas Antonio Belushi, shprehu falënderimin e tij për mirënjohjen e ndarë, ndërsa foli për historinë e arbëreshëve dhe për punën e tij me qëllim që të vë në dukje shqiptarët që prej qindra vitesh jetojnë në Itali, Greqi, por edhe më gjerë. “Unë ndihem kosovar me shpirt, sepse këtu u bëra burrë. Si njeri i lidhur me letërsinë, këtu pata profesorët më të mëdhenj, duke ardhur për çdo vit në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare…”

Në këtë takim mori pjesë ministrja pa Portofol, znj. Edita Tahiri, e cila tha se arbëreshi Belushi është një ndër liderët kombëtar e shpirtëror të kombit shqiptar. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.