MASHT

Ministri Bajrami bisedoi për ngritjen e cilësisë në arsim me nxënës, mësimdhënës dhe prindër në disa shkolla

10 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, sot ka zhvilluar disa aktivitete në shkollat e Kosovës, ku është takuar me mësimdhënës, nxënës dhe prindër, për të biseduar për mundësitë e bashkëpunimit më të madh për ngritjen e cilësisë në arsim.

Fillimisht, ministri Bajrami, i shoqëruar nga drejtorja e Arsimit në Komunën e Prishtinës, znj. Arbërie Nagavci, ka vizituar shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, për të shënuar kështu fillimin e debatit për arritjen e një partneriteti afatgjatë për ngritjen e cilësisë.

Mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve të kësaj shkolle, ministri Bajrami iu ka thënë se së bashku mundemi të krijojmë shkolla cilësore që ofrojnë mësim të avancuar, një mësimdhënie dhe mësimdhënie të mirë, një shkollë ku nuk ka monotoni. “Përmes shkollave të forta, sistemit të mirë të edukimit, dëshirojmë të themi se Republika e Kosovës është një shtet i suksesshëm, sepse kemi pjesën më të madhe të popullsisë në moshë të re, e që janë pjesë e shkollave”, tha ministri Bajrami, ndërsa foli edhe për planet dhe projektet që ka MAShT në drejtim të modernizimit të shkollave, ngritjes profesionale të mësimdhënësve, rishikimin e programeve dhe teksteve shkollore, në mënyrë që nxënësve t’ju bëhet më e lehtë mësimnxënia.

Ndërsa, në kuadër të fushatës “Eja regjistrohu edhe ti”, për vetëdijësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë për rëndësinë e regjistrimit me kohë të fëmijëve në regjistrin civil dhe në shkollimin e obliguar, ministri ka vizituar shkollën “Ismail Luma” në Lipjan.

Pasi ka qëndruar në një klasë ku po zhvillohej mësim i përbashkët i nxënësve shqiptarë, romë, ashkali dhe egjiptianë, ministri Bajrami tha se MAShT është shumë e interesuar për gjithëpërfshirje në shkolla, e sidomos për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptianë, në mënyrë që ata një ditë të jenë të gatshëm për t’u përballur me sfidat e jetës. 

“Ne si si shoqëri shumë etnike po kujdesemi që së bashku me organizatat partnere të ndikojmë që fëmijët në vend të rrugës të zgjedhin shkollën”, tha ministri, ndërsa më pas vizitoi edhe disa familje të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë, me të cilët bisedoi për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre, por edhe të regjistrimit në kohën e duhur të fëmijëve të tyre në regjistrin civil.

Më pas, ministri Bajrami në Viti ka përuruar shkollën e mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu”, ku theksoi se është kënaqësi të fillohet viti i ri shkollor me shkolla moderne. 

Ministri tha se këto hapësira shkollore ofrojnë mundësi për standarde të larta të mësimdhënies, ndërsa theksoi se arsimi profesional është një nga prioritetet e MAShT.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.