MASHT

MAShT dhe KEDS me Marrëveshje Bashkëpunimi për praktikën profesionale të nxënësve

22 Korrik, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe drejtori i furnizimit i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), z. Alper Erbas, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi, me të cilën nxënësit e shkollave profesionale do të kryejnë praktikën profesionale në këtë kompani.

Ministri Bajrami, tha se kjo është një përvojë e mirë në Kosovë, ku nxënësit gjatë shkollimit dërgohen në praktikë profesionale. “Është plotësisht në pajtim me politikat e Ministrisë për mësimin dual, që ne të reformojmë shkollat tona profesionale, në mënyrë që nxënësit një pjesë të edukimit ta marrin në shkollë dhe një pjesë në kompani”. 

Ne, tha ministri, dëshirojmë që në të ardhmen të gjitha shkollat profesionale në Kosovë të kenë partnerë kompanitë e mëdha, që nxënësit të qëndrojnë tri ditë në shkollë dhe dy në praktikë. 

Ministri Bajrami tha se përfaqësuesit e KEDS e kanë informuar se shumicën prej praktikantëve do t’i punësojnë. “Ky është një shembull që do ta ndjekim edhe me kompanitë tjera të mëdha, nga të cilat do të kërkojmë që një pjesë të fitimit që e realizojnë, ta investojnë te edukimi i gjeneratave të reja. Do të kërkojmë që të marrin sa më shumë nxënës në praktikë profesionale, ku ata do të kenë mundësi të tregojnë aftësitë e tyre dhe më të mirët të punësohen, gjë që siguron një politikë të punësimit, që është edhe politikë e Qeverisë së Kosovës”. 

Ministri Bajrami theksoi se do të lidhen marrëveshje të reja, në mënyrë që çdo shkollë profesionale ta lidhim me një partner praktik, me një kompani. Ndërsa, ai tha se Qeveria do të stimulojë kompanitë që marrin nxënës në praktikë profesionale, sepse këto kompani bëhen partnerë edhe në sektorin e edukimit. 

Drejtori i Furnizimit në Kompaninë KEDS, Alper Erbas, tha se deri më tani kjo Kompani ka nxjerrë dy gjenerata të suksesshme të nxënësve, të cilët janë punësuar. “Ne dëshirojmë të ripërtërijmë kompaninë tonë për tregun e Kosovës”, tha Erbas. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.