MASHT

MAShT dhe DMACC nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi

11 Maj, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe presidenti i DMACC (Des Moines Area Community College), Robert Denson nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për themelimin e Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, degë e Kolegjit DMACC të Iowa-s.

Ministri Bytyqi me këtë rast, është shprehur jashtëzakonisht falënderues për gatishmërinë që shteti i Iowa-s, në kuadër të krijimit të një partneriteti strategjik me Kosovën po e mbështet fushën e edukimit, tashmë përmes një bashkëpunimi konkret.

Ministri Bytyqi theksoi se, nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit për themelimin e degës së Kolegjit DMACC në Kosovë, është një hap drejt ndryshimit të gjendjes së arsimit të lartë.

“Ardhja e një Kolegji prestigjioz nga shteti i Iowa-s është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, veçanërisht për të rinjtë tanë, të cilët do të kenë mundësi që në këtë Kolegj të marrin një edukim profesional çfarë e kanë të rinjtë në Iowa-s. Falënderoj DMACC për gatishmërinë që të përkrahë themelimin e këtij kolegji në Kosovë, të cilët janë të gatshëm të na ndihmojë për të pasur një kolegj siç e kanë edhe në SHBA”, theksoi ministri.

Ndërsa, presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Robert Denson tha se, DMACC është e specializuar në aftësimin e punëtorëve në kompani të ndryshme, duke shtuar se do të punojnë me institutet më të mira të Iowa-s, për të garantuar sjelljen e përvojave më të mira në Kosovë.

Denson u shpreh i gatshëm për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e edukimit, përmes projekteve të tjera.

Ndryshe, Marrëveshja që është nënshkruar i ka hapur rrugë Kolegjit të njohur DMACC, i cili do të ketë profile profesionale të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës në Kosovë. Standardi i këtij Kolegji është në përputhje të plotë me ato që zhvillon Kolegji DMACC në Iowa.

Në kuadër të Marrëveshjes parashihet që profesorë nga DMACC të trajnojnë profesorët tanë, të cilët do të jenë pjesë e Kolegjit.

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.