MASHT

KQSHM E VLERËSON TË SUKSESSHËM AFATIN E DYTË TË PROVIMIT TË MATURËS SHTETËRORE

29 Gusht, 2015

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), në konferencën e mbajtur për media, e ka vlerësuar të suksesshme mbarëvajtjen e procesit të Provimit të Maturës Shtetërore 2015, në afatin e gushtit.

Kryetari i KQShM-së, z. Azem Guri ka theksuar se, i tërë procesi ka shkuar sipas rregullave të përcaktuara nga KQShM dhe se nuk është raportuar ndonjë parregullsi nga Qendrat e Testimit.
 
“KQShM nga raportimet e marra në terren vlerëson se, procesi i provimit të maturës ka shkuar mirë dhe nga raportimet në terren konkludojmë se gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve”, theksoi z. Guri.

Z.Guri falënderoi në mënyrë të veçantë maturantët, për përfillje të rregullave të përcaktuara nga KQShM, si dhe të gjithë administruesit, mbikëqyrësit dhe monitoruesit që janë përkujdesur për mbarëvajtjen dhe monitorimin e këtij procesi, përfshirë kryetarët e komunave, drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, Policinë e Kosovës dhe organizatën BIRN. 

Kryetari i KQShM-së, po ashtu vlerësoi punën e mediave, të cilat kanë përcjellë te publiku gjatë gjithë kohës organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore.

Testit të Maturës në afatin e gushtit i janë nënshtruar 15650  nxënës, ndërkaq për administrim të suksessëhm të provimit janë angazhuar 203 komisioner nga MASHT, 162 komisioner nga DKA, 1140 administrues, 224  mbykqyrës dhe KQSHM. Pjesa e dytë e provimit do të mbahet më 5 shtator, ndërsa rezultatet pritet të publikohen më 15 shtator 2015.

Last modified: 27 Maj, 2022

Comments are closed.