MASHT

Këshilltari Hysenaj mori pjesë në shënimin e Ditës së Mësuesit të organizuar nga SBAShK-u

7 Mars, 2018

Në ceremoninë e shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, e cila është organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, është vlerësuar lartë puna dhe kontributi i mësimdhënësve ndër vite në procesin e shtetndërtimit, duke edukuar breza të tërë.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri  i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismail Kurteshi, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ndërsa në emër të ministrit Shyqiri Bytyqi, të pranishmit i përshëndeti këshilltari i ministrit, Fehmi Hysenaj. 

Këshilltari Hysenaj ka theksuar rolin e mësuesve në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë dhe kontributin e tyre për edukimin në frymën atdhetare. “Duke qenë se kjo festë lidhet edhe me një epokë të lavdishme, pra Epopenë e UÇK-së, dua të theksoj edhe kontributin e mësimdhënësve për edukimin në frymën atdhetare të të rinjve tanë, të cilët më pas e mbrojtën Kosovën me gjithë fuqinë e tyre intelektuale dhe njerëzore”, u shpreh këshilltari Hysenaj.
Ndër të tjera, këshilltari Hysenaj tha se, profesioni i mësuesit, nuk është vetëm profesion, por është edhe mision i rëndësishëm për arritjen e qëllimeve jetike për ruajtjen e vlerave kombëtare, si dhe ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit.


Këshilltari Hysenaj ka folur edhe për rishikimin e ligjit që e njeh kontributin e mësuesve në kohërat më të vështira për Kosovën, pra vitet 90-99, duke shtuar se tashmë ligji është në Qeveri dhe pret të kalojë në procedura tjera për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Këshilltari Hysenaj, po ashtu ka theksuar se Ministria e Arsimit është duke punuar vazhdimisht që të kemi kurrikula të standardeve  evropiane, në mënyrë që të rritet  efikasiteti në punën e mësuesve dhe arsimtarëve, si dhe të krijohen ambiente të mira shkollore.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.