MASHT

Filloi punimet konferenca shkencore “Java e Shkencës në Kosovë – 2015”

12 Maj, 2015

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar konferencën shkencore vjetore “Java e Shkencës në Kosovë- 2015”, e cila ka filluar sot punimet në Prishtinë, e ku do të prezantohen rreth 280 punime shkencore nga të gjitha fushat nga 600 autorë dhe koautorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës.

Konferenca ka për qëllim prezantimin dhe promovimin e të arriturave shkencore.

Ministri Bajrami, i cili i hapi punimet e “Javës së Shkencës”, tha se kërkimi dhe hulumtimi shkencor janë një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe progresit të secilit shtet. “Java e Shkencës është një mundësi e shkëlqyeshme për të parë kontributet e shkencëtarëve të rinj, për të promovuar shkencëtar të rinj dhe për të nxitur hulumtimet shkencore”.

“Java e Shkencës”, tha ministri Bajrami, do të na mundësojë që ne duke e parë rrugën tonë, rezultatet tona të kërkimeve shkencore, të bëhemi ngadalë edhe pjesë e rrjetit ndërkombëtar të shkencës. “Kemi punuar që të ngrisim standardet e shkencës, sepse krahas reformës akademike, jemi duke futur edhe komponentin shkencor dhe kemi punuar që shkencëtarët e rinj të fokusohen në fushat, për të cilat ka më shumë nevojë zhvillimi ekonomik, në fushat ekzakte, teknologjike dhe të arriturave të reja shkencore.”

Duke folur për fillimin e debatit për reformën në arsimit të lartë, ministri Bajrami tha se pjesë e kësaj reforme akademike është edhe puna kërkimore dhe shkencore, e cila tani po instalohet si një mision i rregullt pranë universiteve. “Jemi të vendosur që punën shkencore ta vendosim aty ku edhe e ka vendin: në universitetet tona, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në institute, në mënyrë që ta kuptojmë se studimet universitare do të quhen studime, vetëm nëse kanë dy komponenta: komponentën akademike të mësimdhënies dhe komponentën e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore”.
Ministri Bajrami përmendi edhe buxhetin e vogël për shkencë dhe tha se do të punojmë që buxheti të rritet dhe krahas rritjes së buxhetit të rritet cilësia e punimeve shkencore, të cilat do t’i shërbejnë edhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Duke theksuar nevojën e lidhjes së kërkimit shkencor me nevojat e ekonomisë së tregut, ministri Bajrami uroi që rezultatet e “Javës së Shkencës”, të kenë edhe aplikim në jetën praktike.

Ndërsa, kryetarja e Këshillit Shkencor të MAShT, znj. Myzafere Limani, tha se Programi Kombëtar i Shkencës adreson sfidat, me të cilat ballafaqohet shkenca dhe hulumtuesit në vendin tonë. “Unë besoj se kemi nevojë për një shoqëri që është përkrahëse e vlerave shkencore. Këshilli Shkencor, nga ky vit do të mbështesë edhe publikimet cilësore shkencore në revista ndërkombëtare me impakt faktor”, tha ajo.

“Java e Shkencës” do të zgjasë deri më 15 maj, ku do të zhvillohen seanca plenare dhe seanca tematike. Kjo është hera e shtatë e organizimit të kësaj Konference.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.