MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË TRYEZËN E RRUMBULLAKËT “24 QERSHORI – DITA NACIONALE E KOMUNITETIT EGJIPTIAN”

21 Qershor, 2019

21 Qershor 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “24 qershori- Dita nacionale e komunitetit egjiptian ”, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Në këtë bashkëbisedim, të organizuar në kuadër të aktiviteteve festive ”Java Egjiptiane”, u fol për angazhimet institucionale shtetërore, përfshirë këtu edhe sfidat në përmbushje të kërkesave të komunitetit egjiptian që jeton në Kosovë .

Ministri Bytyqi, ndër tjera tha se, MAShT është angazhuar që të krijojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës në edukim dhe arsimim, duke shqyrtuar me seriozitet çdo kërkesë që ka ardhur nga të rinjtë dhe përfaqësuesit e komunitetit.

Ministri Bytyqi theksoi se, MAShT ka nxjerrë një vendim shumë të rëndësishëm, me të cilin u është mundësuar të gjithë nxënësve dhe të rinjve të komunitetit egjiptian dhe të tjerëve të regjistrohen në secilin program shkollor nga 5 nxënës mbi normën zyrtare e cila ka qenë e lejuar.

Në vazhdim, ministri Bytyqi përmendi se, vitin e kaluar janë ndarë 750  bursa për nxënësit e komuniteteve, gjë që  ka ndikuar në krijimin e kushteve më të mira për shkollim, ndërsa shtoi se është krijuar  mundësia e regjistrimit në universitetet publike, me kuota të rezervuara dhe me përqindje të gatishmërisë më të ulët, si dhe strehim në konvikte.

Ministri Bytyqi e vlerësoi të rëndësishme edhe hartimin e infrastrukturës ligjore për themelimin e Qendrave Arsimore për Komunitetet, duke siguruar kështu vazhdimësinë e funksionimit të tyre, si një mundësi e mirë  e me ndikim në ngritjen e vetëdijes dhe të interesimit për shkollim.

Në fund, duke ua uruar festën përfaqësuesve të komunitetit egjiptian, ministri Bytyqi tha se, MAShT do të vazhdojë me krijimin e kushteve të mira për shkollim për të gjithë, që të përgatiten, të arsimohen dhe aftësohen për vete dhe për nevojat e shoqërisë e të shtetit.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.